Prishtinë, 14 janar 2026 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën për arrestimin e një të dyshuari për sulm ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosoë, KFOR, dhe ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gjatë protestave të vitit 2023 në pjesën veriore të vendit.
Prokuroria nuk e bëri publik identitetin e të arrestuarit, por i publikoi vetëm inicialet e tij, S.R. Por, bazuar në hetimet e deritashme i arrestuari duhet të jetë pjesëtar i komunitetit serb.
Në njoftim thuhet se i dyshuari u arrestua gjatë një aksioni të përbashkët të prokurorëve dhe hetuesve policorë nga Drejtoria për Krime të Rënda dhe Krim të Organizuar.
Prokuroria tha se gjatë kontrollit të shtëpisë së të tyshuarit janë gjetur prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës penale.
“Në vendbanimin e të dyshuarit është zbatuar urdhër kontrolli, ku janë gjetur prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës penale”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit i është caktuar masa e sigurisë ndalim për 48 orë, në bazë të dyshimeve për veprat penale “bashkim për veprimtari kundërkushtetuese”, “rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.
Prokuroria tha se nga gjykata do të kërkojë që i dyshuari të mbahet në paraburgim, teksa hetimet ndaj tij vazhdojnë.
Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë në maj të vitit 2023 në Zveçan.
Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat e komunave në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.
Deri më tash janë arrestuar dhjetëra të dyshuar për dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në Zveçan.
(r.m.)