Artan Grubi nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”

Shkup, 24 shkurt 2026 – Zyra e Prokurorit Publik në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur se prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest në shtëpi për ish-zëvendës-kryeministrin Artan Grubi.

Në arsyetimin e kërkesës së saj, prokuroria ka thënë se kjo masë është kërkuar sepse tashmë janë siguruar shumica e provave lidhur me çështjen për të cilën dyshohet Grubi, sepse ai u është dorëzuar vullnetarisht agjencive shtetërore ligjzbatuese dhe sepse ka sinjale se atij  “nuk mund t’i garantohet siguri personale në një qendër ndalimi”.

Gjykata Themelore Penale në Shkup ka bërë të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake e ka miratuar propozimin e prokurorisë, kështu që Grubi do të jetë në arrest shtëpie, nën mbikëqyrje 24-orëshe nga zyrtarë të Ministrisë së Brendshme.

Grubi, i cili gjendej në arrati prej më shumë se një viti, të hënën iu dorëzua autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në pikën kufitare me Kosovën, në Bllacë. Ai ishte person në kërkim të organeve të drejtësisë, pasi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”. Në këtë rast është i përfshirë edhe Përparim Bajrami, po ashtu si i dyshuar.

Sipas aktakuzës, ata i kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro, përmes procesit të prokurimit për pajisje të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Penale në Shkup pati kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për Grubin dhe Bajramin. Po atë ditë ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për të dy të dyshuarit.

Pak ditë më parë, Artan Grubi ishte përfshirë në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit, për përfshirje në korrupsion dhe për ndërhyrje politike në gjyqësorin e Maqedonisë së Veriut. Në arsyetim thuhej se ai ka marrë ryshfet për të ndikuar në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtorit të Administratës së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), Sasho Mijalkov, në rastin “Target”, i cili kishte të bënte me aferën e përgjimeve masive..

Grubi ishte anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) tani në opozitë. Më parë ishte deputet dhe zëvendëskryeministër në qeverinë e koalicionit LSDM – BDI.

(r.m.)