Asgjë e re. Dështon edhe përpjekja e 48-të për konstituimin e Kuvendit

Prishtinë, 17 korrik 2025 – Të enjten, ka dështuar edhe përpjekja e 48-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje subjekteve politike që të propozojnë nga një përfaqësues për Komisionin Zgjedhor që do të mundësonte zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit përmes votimit të fshehtë, por PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe nuk propozuan kandidatë dhe as nuk votuan për themelimin e komisionit.

Seanca kontrituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill. Kandidatja e partisë më të madhe në Kuvend, Lëvizjes Vetëvendosje, për kryetare nuk e ka fituar numrin e nevojshëm të votave, së paku 61, në shtatë votime të hapura, prandaj Vetëvendosje po tenton t’i sigurojë këto vota përmes votimit të fshehtë.

Gjykata Kushtetuese, duke iu përgjigjur kërkesës së një grupi deputetësh të AAK-së, PDK-së dhe LDK-së rreth votimit të fshehtë, më 26 qershor, ka thënë se konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet më së largu brenda 30 ditësh. Ajo ka thënë se kjo duhet të bëhet përmes konsensusit politik, i cili duket vështirë i realizueshëm, për shkak të qëndrimeve të ngurta të partive politike.

Presidentja Vjosa Osmani ka dështuar t’i bindë liderët e subketeve politike të gjejnë një zgjidhje me kompromis. Së voni ajo ka paralajmëruar mundësinë që Gjykatës Kushtetuese t’i kërkojë sqarime shtesë se sit ë veprohet pas përfundimit të afatit 30 ditor për konstituimin e Kuvendit, i cili skadon më 26 korrik.

(r.m.)