Asnjë progres për çështjen e dinarit. Lajçak do të paraqesë një propozim të ri

Bruksel, 25 prill 2024 – Kosova dhe Serbia nuk arritën as të enjten ndonjë marrëveshje për çështjen e dinarit në Kosovë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi u shpreh skeptik se pala serbe është e interesuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e dinarit.

Bislimi tha se pala serbe ka paraqitur qëndrime të cilat ai i cilësoi shqetësuese. Ai tha se këto pikëpamje zbulojnë se qëllim i Serbisë është legjitimimi i strukturave ilegale serbe në Kosovë përmes Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

 “Sot për herë të parë ne kemi parë haptazi, të dokumentuar nga Serbia, se si ata e shohin procesin e krijimit të Asociacionit. Përderisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën, Asociacioni është nënkuptuar si një mekanizëm që i ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre, Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”, tha Bislimi

“Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë të vazhdojnë të financohen [nga Serbia] deri kur të krijohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe]”, shtoi Bislimi.

Bislimi tha se propozimet e palës serbe janë refuzuar kategorikisht, ndërsa ndërmjetësuesi i takimt, emisari special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, do të dalë me një propozim të ri që synon përafrimin e qëndrimeve të palëve për transferimin e ndihmës financiare të Serbisë për serbët në Kosovë.

“Sigurisht, të gjitha këto propozime ishin shumë destruktive, prandaj Lajçak do të dalë me një propozim të ri dhe ne do të duhet të japim mendimet tona për këtë propozim në shtatë ditët e ardhshme”, tha Bislimi për gazetarët pas takimit trepalësh.

Ai tha se pala kosovare e ka shprehur përkushtimin që qëndcrimin e saj për propozimin e Lajçakut ta paraqesë pas një jave.

“Ne e kemi shprehur përkushtimin tonë që, në një periudhë prej një jave, t’i dërgojmë sygjerimet apo shqetësimet tona lidhur me propozimin e fundit”, tha ai.

Bislimi tregoi se në takimin e sotëm është paraqitur edhe ideja për krijimin e një entiteti të ri biznesor, i cili do të krijonte mundësi për arritjen e ndihmës financiare  te përfituesit përmes konvertimit të Postës Serbe. Ai tha se Serbia e ka hedhur poshtë këtë ide, duke e cilësuar si “ një lloj privatizimi të postës serbe” nga Kosova.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, e cilësoi si “të vështirë dhe të tensionuar” takimin e sotëm. Ai tha se pala serbe ka paraqitur propozimet e saj dhe përsëriti akuzat tashmë të njohura në adresë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Bisedat ishin të vështira dhe të tensionuara, por ishin të drejtpërdrejta, gjë që është gjë e mirë. Si unë, ashtu edhe ekspertët, patëm rastin të paraqesim propozimet tona për idetë e BE-së dhe për zgjidhjen e çështjes së dinarit, sepse [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, me atë vendim [për ndalimin e përdorimit të dinarit] e kërcënoi mbijetesën e popullit serb. Kjo duhet të zgjidhet urgjentisht, bëhet fjalë për ekzistencën e serbëve”, tha Petkoviq.

“Ne kemi treguar aq shumë konstruktivitet saqë të gjithë e kanë të qartë, që në momentin e parë, se problemi është te Prishtina, e cila me vendim të njëanshëm i krijoi këtë situate të vështirë, në radhë të parë për popullatën serbe, e cila është në rrezik”, shtoi ai.

Petkoviq nuk i shpjegoi propozimet e palës serbe, por i vazhdoi me akuzat tashmë të njohura ndaj qeverisë së Kosovës.

“Bislimi disa herë tha që nuk i interesojnë serbët që duan ta lëshojnë Kosovën, por i interesojnë vetëm serbët që duan të integrohen në Kosovë”, tha ai.

Takimi it ë enjtes mes Bislimit dhe Petkoviqit ishte takimi i pestë për çështjen e përdorimit të dinarit në Kosovë. Ndryshe nga katër takimet e deritashmëe, ndërmjetësi Mirosllav Lajçak nuk pati paraprakisht takime të veçanta me Bislimin dhe Petkoviqin, por pati vetëm takim trepalësh.

(r.m.)

Comment

*