Autoritetet e Kosovës angazhohen për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-të në fushën e mbrojtjes

Prishtinë, 2 gusht 2025 – Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe ato të NATO-s, David Baker, i cili gjendet në vizitë dyditëshe në Kosovë, të shtunën u prit me nderime të larta ushtarake nga udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Kosovës – Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Pas takimit, në një postim në Facebook, Presidentja Osmani ka thënë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara është jetike për sigurinë e Kosovës dhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Kur Amerika qëndron përkrah nesh, Kosova është më e fortë, më e sigurt dhe më e zhvilluar. Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe në industrinë e mbrojtjes, si një mundësi me përfitime të ndërsjella për të dyja shtetet”, ka shkruar ajo në Facebook.

Presidenca e Kosovës njoftoi se në takimin e Presidentes me Zëvendës-ndihmës Sekretarin Baker është diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe në industrinë e mbrojtjes. Në njoftim thuhet se Presidentja Osmani e ka cilësuar partneritetin me SHBA-në thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Presidentja Osmani theksoi se Kosova po ndërton një forcë moderne të sigurisë sipas standardeve të NATO-s dhe se partneriteti me SHBA-në është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidenca bëri të ditur se Presidentja Osmani ka thënë se anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Kosovës.

“Presidentja Osmani nënvizoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është jo vetëm synim strategjik i shtetit, por një domosdoshmëri për arkitekturën e sigurisë në rajon. Ajo theksoi se Kosova është gati të kontribuojë si aleate e besueshme dhe ta përmbush objektivin për shpenzime në mbrojtje në kohë rekord, duke shtuar se mbështetja e SHBA-ve, në këtë synim për anëtarësim është jetike”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani ka theksuar se prania ushtarake amerikane në Kosovë u shërben drejtpërdrejt interesave strategjike të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes paraqet një mundësi të re për investime të përbashkëta, në dobi të të dyja vendeve.

Presidenca bën të ditur se në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e industrisë ushtarake dhe se Presidentja ka shtruar nevojën e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë.

“Më tej, është diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e industrisë ushtarake. Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë, duke theksuar se Kosova ka potencial në fushën e prodhimit ushtarak me mbështetjen e SHBA-së dhe kompanive të ndryshme amerikane që mund të jenë të interesuara në këtë drejtim. Presidentja Osmani potencoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për të garantuar stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

May be an image of 2 people and text

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një postim në Facebook, tha se në takimin me z. Baker është diskutuar rreth sfidave të sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si edhe për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë në bashkëpunim me SHBA-të.

“Në kontekstin e dinamikave globale, diskutuam mbi sfidat e sigurisë dhe paqes në rajon dhe më gjerë. Theksuam përparimin e rëndësishëm që është bërë që nga takimi ynë i fundit, sidomos në lidhje me iniciativat e bashkëprodhimit me Shtetet e Bashkuara dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë, një sektor që njihet për potencialin e tij të konsiderueshëm për rritje”, shkruan Maqedonci.

“Konfirmuam partneritetin mes dy vendeve tona ndërsa theksova angazhimin tonë për ta forcuar edhe më tej këtë bashkëpunim. Me Shtetet e Bashkuara si partnerin tonë të besueshëm, Kosova gëzon një siguri të shtuar dhe luan një rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe stabilitetit, si në nivelin rajonal ashtu edhe në atë global. Ne jemi të përkushtuar për të avancuar këtë partneritet në nivele edhe më të larta”, thekson ai.

May be an image of 5 people

Zëvendësndihmëssekretari amerikan David Baker është takuar të shtunën edhe me Komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Enrico Barduani.

KFOR-i bëri të ditur se në takim është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë.

Në njoftim bëhet e ditur se z. Baker e ka rikonfirmuar “angazhimin e palëkundur të SHBA-së” për misionin e KFOR-it në Kosovë

“Baker e ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur amerikane për misionin e KFOR-it në Kosovë, duke e theksuar mbështetjen e vazhdueshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftimin e KFOR-it në Facebook.

(r.m.)