Prishtinë / Tiranë, 4 gusht 2025 – Autoritetet shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë kanë reaguar ashpër ndaj thirrjeve antishqiptare të një grupi tifozësh në ndeshjen basketbollistike mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua në Kumanovë, të shtunën, më 2 gusht.
Në këtë ndeshje, e cila u zhvillua në kuadër të fazës së dytë parakualifikuese për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, u dëgjuan edhe thirrjet “vrite shqiptarin!”, “shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri Maqedoni nuk do të zhduket”, “Maqedoni e pastër”, e të tjera.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se aktet e tilla “cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”. Ajo e cilësoi veçanërisht shqetësuese mungesën e reagimit të zyrtarëve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut q՞ ishin të pranishëm në sallën ku u dëgjuan thirrjet anatishqiptare.
“Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër. Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”, tha ajo në një deklaratë lidhur me këtë incident.
Presidentja Osmani u bëri thirrje institucioneve shtetërore të Maqedonisë së Veriut që të dënojnë çdo manifestim të urrejtjes dhe të mbrojnë parimet e bashkëjetesës dhe tolerances.
“U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes, mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”, tha Osmani.
Edhe në Shqipëri pati reagime të ashpra për thirrjet kundër shqiptarëve në Kumanovë.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cilësoi të papranueshme gjuhën e urrejtjes që u dëgjua në Kumanovë.
“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë. Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”, tha ajo.
Spiropali kërkoi reagim më të fortë publik të udhëheqësve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe theksoi vlerën e bashkëjetesës ndëretnike në këtë shtet.
“Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik. Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit”, tha ajo.
“Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje”, theksoi Spiropali në reagimin e saj.
Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, në reagimin e tij, i cilësoi si “alarm për të gjithë”, thirrjet antishqiptare në Kumanovë.
“Thirrjet fyese në Kumanovë janë alarm për të gjithë ne. Bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm, respekt për rregullat e lojës dhe për njëri-tjetrin — jo vetëm në tribuna, por kudo”, ka shkruar ai.
Maidani ka thënë se pret që autoritetet më të larta të Maqedonisë së Veriut “të flasin qartë, fort dhe me përgjegjësi”.
(r.m.)