Autoritetet e Kosovës kërkojnë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës

 Prishtinë, 29 gusht 2025 – Të premten, në Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë, autoritetet shtetërore e politike të Kosovës, diplomatët e huaj dhe familjarët e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë kanë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, në Prishtinë. Prej aty është bërë thirrje pë ndriçimin e fatit të personave të pagjetur.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi Serbinë se me fshehjen e informacioneve për të zhdukurit me dhunë nga Kosova po i shkel të gjitha konventat për të drejtat e njeriut. Ajo i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të ushtrojë presion ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, sikurse edhe çdo vit, jemi bashkë me familjet për ta ngritur zërin tonë për drejtësi, për ta ngritur zërin tonë për këtë krim të vazhdueshëm të Serbisë dhe e them që është krim i vazhdueshëm sepse përtej krimeve që janë kryer në vitin 1998-99 nga ana e Serbisë, zhdukja me dhunë e personave të dashur të shumë familjeve këtu në Kosovë është krim të cilin e kryen çdo ditë, duke i mbajtur ata në varreza masive, duke mos i respektuar marrëveshjet e arritura në Bruksel për ta zbardhur fatin e këtyre të zhdukurve me dhunë. Serbia çdo ditë kryen krim kundër njerëzimit dhe çdo ditë shkel konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha ajo.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se zbardhja e fatit të personave të zhdukur është obligim moral dhe ndërkombëtar i Serbisë, por edhe përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare.

“Ky është një obligim moral por edhe obligim ndërkombëtar që Serbia sa më parë të tregojë vendodhjen e të gjithave masakrave dhe vendodhjen se ku gjenden të pagjeturit që familjet në vendin tonë mezi presin të kuptojnë fatin e tyre. Është çështje morale por edhe obligim ndërkombëtar që Serbia të tregojë sa më shpejt, bëj thirrje edhe te bashkësia ndërkombëtare që të shtojë presion te një regjim autoritar atje që të tregojë për fatin e të pagjeturve dhe të kuptojmë për fatin e tyre”, tha ai.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Serbia po e pengon procesin e kërkimit të mbetjeve mortore duke pamundësuar fillimin e gërmimeve në lokacionet ku dyshohet se ka varreza të përbashkëta.

“Sivjet kemi pasur 18 aktivitete për hulumtimin e për kërkimin të mbetjeve mortore të më të dashurve tanë të cilët i vrau Serbia dhe jo vetëm që i zhvarrosi por edhe ua rrëmbeu kufomat. Në anën tjetër gërmimet në Kozhle të Serbisë nuk kanë filluar ende, ndërkaq në Batanjicë afër Beogradit nuk kanë rifilluar ende, pa çka se u bënë dy vite që ne e kemi edhe marrëveshjen e Brukselit edhe deklaratën përkatëse për këtë çështje. Mohimi i drejtësisë ndaj viktimave tona të luftës së fundit në fakt paraprihet nga mohimi i krimeve të kryera nga Serbia që e bën Beogradi zyrtar”, tha ai.

Më se 1.584 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë nuk janë gjetur ended he as nuk ka informacion për fatin e tyre.

(r.m.)