Avokatët e Fatmir Mediut kërkojnë gjykim të zakonshëm për Gërdecin

Tiranë, 18 korrik 2023 – Procesi gjyqësor për ish-ministrin e Mbrojtes, Fatmir Mediu lidhur me përgjegjësinë e tij në ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë, u shty për të gjashtën herë të martën më 18 korrik. Shtyrja erdhi pas kërkesës së avokatëve të tij mbrojtës për revokimin e gjykimit të shkurtuar.

Në seancën e të martës kur pritej që të paraqiteshin konkluzionet përfundimtare, çështja mori rrjedhë krejt tjetër duke i hapur rrugë mundësisë për ndryshimin e mënyrës së gjykimit, nga ai i shkurtuar, në të zakonshëm.

Fillimisht u prezantuan disa prej të dëmtuarve dhe trashëgimtarëve ligjorë të viktimave të tragjedisë së Gërdecit të cilët kërkuan të jenë palë në gjykim. Ata u shprehën kundër akuzës së ngritur nga prokuroria ndaj Fatmir Mediut për “shpërdorim detyre” duke kërkuar që të shtohet edhe akuza e vrasjes, ose të shtohet pasoja e humbjes së jetës së të ndjerëve.

Përfaqësuesi ligjor i Mediut, avokati Henrik Ligori, megjithëse shprehu respektin e tij për ndjenjat e familjarëve të viktimave, kërkoi që gjykimi të vijonte sipas procedurave ligjore. Ai theksoi se akuza është tagër i prokurorisë.

Në vijim, avokati tjetër iu Mediut, Ardian Visha solli në vëmendje të gjykatës së në Gjykatën e Lartë pritet që në shtator të shqyrtohet një rekurs i ushtruar nga familjarët e viktimave ndaj vendimit të pushimit të çështjes së Mediut. Ai kërkoi që seanca të shtyhej deri në shpalljen e vendimit nga Gjykata e Lartë.

Ndërsa përfaqësuesi ligjor i viktimave dhe familjarëve të tyre e cilësoi pa lidhje atë çështje me gjykimin që po zhvillohet. Ai sqaroi se seanca për shqyrtimin e rekursit do të shqyrtohej me përparësi për shkak të heqjes dorë si pasojë e arritjes së qëllimit për fillimin e procesit penal ndaj Mediut.

Po ashtu, prokurori Klodian Braho u shpreh se vendimmarrja për rekursin nuk ka lidhje me procesin që po zhvillohet ndaj mediut, duke argumentuar se tashmë ishte shprehur dhe Gjykata Kushtetuese për fillimin e procedimit ndaj të pandehurit.

Pasi dëgjoi palët, gjyqtarja Irena Gjoka e cilësoi kërkesën të padrejtë. Ajo argumentoi se rekursi në Gjykatën e Lartë nuk ka asnjë lidhje me gjykimin dhe e rrëzoi kërkesën për shtyrjen e seancës.

Menjëherë, avokati Henrik Ligori pretendoi se bazuar në qëndrimet e gjykatës dukej se gjykimi i shkurtuar nuk po jepte garanci për një proces të rregullt ligjor e të drejtë. Ligori parashtroi një kërkesë të dytë, për revokimin e vendimit për shqyrtimin e çështjes me gjykim të shkurtuar, duke kërkuar që të merren në shqyrtim prova të reja dhe të pyeten dëshmitarë, që sipas tij do të vërtetonin se pafajësinë e Mediut.

Prokurori Klodian Braho solli në vëmendje se procesi është në fazën e diskutimit përfundimtar dhe se revokimi i gjykimit të shkurtuar bëhet kur ka pavlefshmëri apo papërdorshmëri të akteve e provave.

Avokati Ardian visha deklaroi se kërkonte që të pyeteshin subjekte që nuk janë pyetur më parë të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Itali. Ai theksoi se kontestonin aktin e ekspertimit lidhur me shkakun e zjarrvënies që shkaktoi shpërthimin. Madje, Visha u shpreh se nuk mund të besonin se gjithcka kishte ndodhur në mënyrë aksidentale. Ai pohoi se ishte I dyshimtë fakti se si diksuh me kamer me stativ kishte qëndruar përballë vendit të ngjarjes në Vorë dhe po filmonte pikërisht në momentin kur ndodhi ngjarja.

Duke i cilësuar hetimet e prokurorisë të dobëta, ai këmbënguli se ishte e nevojshme që të pyetej gazetari që kishte siguruar pamjet dhe të deklaronte se nga kush i kishte marrë.

Pasi u tërhoq në dhomë këshillimi, gjyqtarja Gjoka u shpreh se është e drejtë ekskluzive e të pandehurit që të heq dorë nga gjykimi i shkurtuar. Ajo konstatoi se sipas prokurorës së posaçme që Mediu ka lëshuar për mbrojtësit e tij, ata duhet ta përfaqësojnë në prani dhe në mungesë gjatë gjykimit të shkrtuar. Gjoka theksoi se për këtë kërkesë ose duhet të paraqitet personalisht i pandehuri, ose ai duhet të lëshojë një prokurë të posaçme për përfaqësuesit e tij lidhur me kërkesën për gjykimin e zakonshëm.

Megjithëse gjykata nuk i legjitimoi avokatët e Mediut në kryerjen e kësaj kërkese, ajo u kërkoi atyre që të paraqesin në mënyrë të detajuar provat e reja që duan të marrin, dëshmitarët që do të pyeten si dhe se çfarë mund të vërtetojnë me provat e reja. Duke sqaruar se gjyqësori merr ne gusht lejen vjetore, Gjoka e shtyu seancën e radhës për më datë 8 shtator, në orën 10:00.

(Repoorter.al)