Hagë, 18 shkurt 2026 – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot u mbajt seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse të procesit gjyqësor kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në fillim të seancës së sotme pretendimeve të ngritura nga palët iu përgjigj mbrojtësi i viktimave, Simos Laws. Ndër të tjera, ai tha se qëllimi i mbrojtësit të viktimave është që të tregojë pasojat e viktimave, sikurse është stresi post-traumatik.
Laws tha se mungesa e ekzaminimeve individuale të viktimave “nuk i bën dëshmitë jo të rëndësishme” për procesin dhe shtoi se “rrëfimet e viktimave do të ndihmojnë trupin gjykues të përcaktojë nëse ka pasur lidhje mes krimeve dhe të akuzuarve”.
Pas tij i bënë deklaratat e tyre përfundimtare avokatët e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Ata të gjithë thanë se prokuroria nuk ka sjellë prova për krimet e përfshira në aktakuzë, përfshirë akuzën se ata ishin pjesë e asaj që nga prokuroria është cilësuar si “ndërmarrje kriminale e përbashkët”.
Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, tha se nuk ka asnjë provë që Thaçi ka pasur rol në kryerjen e krimeve apo se ka shënjestruar rivalët politikë.
“Konsensusi i provave dhe dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe brenda UÇK-së ishte se Thaçi nuk dyshohej se ishte përfshirë në krime lufte apo në ndonjë politikë që shënjestronte kundërshtarët. ZPS nuk kishte përgjigje për të hedhur poshtë këto pretendime të hënën. ZPS tha në kundërpërgjigjet e tyre të hënë se mbrojtja nuk dëshiron që ju të bëni punën tuaj si gjykatës”, tha Mishetiq,
“Duan që ju të gjeni prova që ata nuk arritën të gjenin. Ata dështuan të gjenin prova”, tha ai duke folur për prokurorët.
Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar premtoi shumë, por nuk i mbështeti pretendimet me prova.
“Ata kanë premtuar fishekzjarre, spektakël, por kanë paraqitur asgjë”, tha ai.
Avokati Mishetiq tha se nuk ka asnjë provë që e lidhin Thaçin me komunikatat apo deklaratat publike të UÇK-së që, sipas prokurorisë, kanë krijuar klimër për kryerjen e krimeve të përfshira në aktakuzë, përveç një interviste të Rexhep Selimit në të cilën Thaçit I atribuohet autorësia e Komunikatës Nr.59.
“ZPS nuk ka asnjë pikë prove që Thaçi ka lidhje autorizimin e komunikatave ose deklaratave politike, përveç pretendimeve të paverifikuara të Selimit në intervistën dhënë ZPS-së lidhur me komunikatën 59. ZPS nuk ka asnjë provë tjetër që Thaçi është përfshirë në përgatitjen e komunikatave dhe diskrediton më tej atë që ka thënë Selimi për komunikatën 59”, tha Mishetiq.
Ai tha se ZPS ka paraqitur argumente të dobëta dhe nuk mbështetet në prova të qëndrueshme për të vërtetuar nëse ndalimet nga UÇK-ja janë kryer në mbështetje të qëllimit ushtarak apo të synimit për marrjen e kontrollit në Kosovë.
“ZPS nuk mund të pretendojë se ka një shpjegim alternativ të ndryshëm nga objektivi ushtarak. Pretendimin e saj duhet ta paraqesë me prova”, tha ai.
Mishetiq e kontestoi pretendimin e prokurorisë se Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte bojkotuar Qeverinë e Përkohshme për shkak të “abuzimit”. Ai tha se nuk ka asnjë provë për këtë pretendim.
“Përkundrazi ju keni prova që LDK e ka bojkotuar atë qeveri sepse nuk dëshironte të ndante vendet e Qeverisë së Përkohshme. LDK kishte qeveri paralele në atë kohë dhe nuk është tërhequr nga kjo qeveri deri në shkurt 2000. Kjo ishte arsyeja që nuk u bashkua qeverisë së përkohshme, e jo abuzimi”, tha ai.
Avokati Mishetiq e kundërshtoi akuzën se katër të akuzuarit ishin pjesë asaj që prokuroria e kualifikoi si Ndërmarrjen Kriminale e Përbashkët. Ai kërkoi nga trupi gjykues që Thaçi të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat.
“Shpallni pafajësinë për të gjitha aktakuzat”, tha Mishetiq në fund të fjalës së tij.
Dixhon: Të gjitha argumentet kundër Veselit janë të pabazuara
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, tha se gjykata nuk mund të shpallë fajtor Veselin, sepse ZPS-ja nuk ka asnjë provë që e lidhin atë me krimet e pretenduara. Ai tha se të gjitha pretendimet e drejtpërdrejta apo rrethanore kundër Veselit janë të pabazuara dhe e mori si shembull një video të publikuar në gjykatore nga ZPS ku një dëshmitar tha se kishte dëgjuar nga dikush se Veseli ishte përfshirë në krime.
“Ky është thashethem i pastër. Ky klip është i pavlerë”, tha ai.
Dixon e kundërshtoi edhe dëshminë e një dëshmitari për ndalimet në Kleçkë, duke e cilësuar atë si “dëshmi të bazuar në thashetheme”.
Avokati Dixon tha se nuk ka prova që Veseli ka kontribuar në atë që Prokuroria e ka kualifikuar si “Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët”. Ai tha se Veseli ka qenë jashtë vendit në shumë periudha kohore dhe se “ka shkuar shumë rrallë” në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.
“Edhe kur ndodhej në Kosovë, Veseli ka marrë pjesë në shumë pak takime dhe ka shkuar shumë rrallë në Shtabin e Përgjithshëm. Nuk ka komanduar ndonjë strukturë të inteligjencës apo askënd dhe nuk ka qenë aktiv në Drejtorinë Politike. Madje as anëtarësia e tij në këtë drejtori nuk është vërtetuar”, tha ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Dixon kërkoi që trupi gjykues ta shpallë të pafajshëm Kadri Veselin, duke theksuar se nuk ka prova që e lidhin atë me krimet e përfshira në aktatakuzë.
Avokati i Selimit: Prokuroria nuk dha prova për “Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët”
Mbrojtësi i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, tha gjithashtu se prokuroria nuk ka argumente për akuzat e ngritura ndaj Selimit.
“Edhe ZPS-së vetë i vjen turp për argumentet e veta për Selimin”, tha ai në fillim të fjalës së tij.
Edhe Roberts tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ofruar prova që vërtetojnë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ishte, siç është kualifikuar në aktakuzë, “Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët”.
“E vetmja që tha ZPS është se provat që gjenden në komunikata gjenden në një poshtëshënim të saj. Por, ky poshtëshëmim vetëm i evideton komunikatat. Nuk ka prova që i mbështesin krimet e pretenduara, por vetëm përsëritje të pretendimeve të komunikatave”, tha ai.
Roberts tha gjithashtu se ZPS nuk e ka provuar autorësinë e shkrimeve me dorë që i atribuohen Selimit. Ai ka thënë se mbetet trupit gjykues të vlerësojë nëse ato ishin shkruar nga Selimi apo jo.
N՞ përfundim të fjalës së tij, avokati Roberts tha se Prokuroria nuk ka asnjë provë kundër Selimit dhe I bëri thirrje trupit gjykues ta shpallë atë të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
“ZPS nuk ka argumente kundër Selimit. Nuk mund të vërtetojë se ai ka kontribuar për krimet e paraqitura në aktakuzë”, tha Roberts.
“Zoti Selimi duhet të shfajësohet për të gjitha akuzat. Asnjë vendim tjetër nuk mund të justifikohet mbi bazën e provave të paraqitura në këtë proces gjyqësor”, theksoi ai.
Avokati Ellis: Krasniqi të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës
Edhe avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, në fjalën e tij përfundimtare,
Ellis i hodhi poshtë pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar se Krasniqi ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai ka thënë se Krasniqi ishte varës i Bislim Zyrapit, i cili e ka pranuar se ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjatë dëshmisë së tij.
“Zyrapi i është referuar vetes si shef i Shabit të Përgjithshëm. Zyrapi ka nënshkruar urdhra në këtë cilësi. Anëtarë të tjerë të UÇK-së që kishin tituj ushtarakë i kanë drejtuar Zyrapit dokumente me titullin ‘Shef i Shtabit’. Edhe këtu kemi dëgjuar dëshmitarë që i janë referuar Zyrapit si ‘shef i Shtabit’”, tha Ellis.
Ai i përmendi në këtë kontekst dëshmitarët: Naim Maloku, Sokol Bashota dhe Rrustem Mustafa.
Avikati Ellis tha se ZPS “po tenton të minimizojë” rolin e Zyrapit dhe theksoi se dëshmia e Zyrapit se Krasniqi ishte epror i tij është “e pabazuar”.
Pas përfundimi të fjalëve përfundimtasre të mbrojtësve filloi paraqitja e fjalëve përfundimtare të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Pas përdundimit të deklaratave të tyre çështja do t’i kalojë trupit gjykues, i cili ka tre muaj afat për marrjen e vendimit për çështjen. Por, Prokuroria mund të kërkojnë zgjatjen e këtij afati për marrjen e vendimit.
Prokuroria ka kërkuar që Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili.
(r.m.)