Avokati i Thaçit: Prokuroria po na cakton kushte që s’i ka zbatuar vetë asnjëherë

Hagë, 22 korrik 2025 – Avokati i ish-Presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq gjatë konferencës së sotme mbi ecurinë e çështjes në këtë rast, e ka kritikuar ashpër Prokurorinë. Në një rast, ai i tha prokurorit Matt Halling që po i vendos mbrojtjes kushte të cilat nuk i ka zbatuar vetë asnjëherë.

“Gjithë paraditen Prokuroria na ka caktuar kushte që vetë nuk i ka zbatuar asnjëherë sa i përket Rregullës 107. Prandaj, nuk po e kuptoj këtë vendosje të kushteve prej tyre. Ju thashë edhe një herë se nëse do të kemi nevojë që të na ndihmoni, do e bëjmë kërkesë përkatëse përpara 18 gushtit”, tha Mishetiq, citon “Betimi për Drejtësi”.

Kjo vërejtje kishte të bënte më shumë me parashtrimet e prokurorit Matt Halling lidhur me pyetjet e gjyqtarëve ndaj mbrojtjes së dëshmitarëve sipas Rregullës 107, për të cilët kërkohet autorizim.

Prokurori Halling tha se, duke marrë parasysh parashtrimet, nuk mund të merren shumë informacione lidhur me aspekte të Rregullës 107, por trupi gjykues mund ta bëjë një gjë të tillë.

“Ne propozojmë fuqimisht që trupi gjykues të marrë parashtrime ex-parte prej ekipeve të mbrojtjes se cilat janë kufizimet dhe çfarë propozojnë”, tha Halling.

Mishetiq tha se do të bëjnë të pamundurën që t’i thërrasin këta dëshmitarë, me arsyetimin se kanë dëshmi të vlefshme. Ai tha se nëse nuk funksionon plani i tyre, do t’i bëjnë kërkesë trupit gjykues që këta dëshmitarë t’i sjellin për të dëshmuar.

Ndryshe, konferernca mbi ecurinë e çështjes përfundoi me njoftimin se seanca tjera në këtë rast nuk do të ketë deri pas përfundimit të pushimit të verës, kur parashihet mbajtja e konferencës përgatitore për paraqitjen e provave të mbrojtjes.

Mbrojtja e Thaçit planifikon t’i thërrasë 12 dëshmitarë, ajo e Krasniqit 5 dëshmitarë

Avokati Mishetiq tha se mbrojtja e Hashim Thaçit ka planifikuar t’i thërrasë 12 dëshmitarë.

“Në këtë fazë, ne synojmë t’i thërrasim 12 dëshmitarë, prej të cilëve 11 presim të japin dëshmi në sallën e gjyqit. Megjithatë, tash për tash jemi në gjendje t’i konfirmojmë vetëm tre dëshmitarë. Një prej dëshmitarëve pritet të japë dëshmi viva-voce…Tani që po flasim kemi një dëshmitar. Një tjetër dëshmitar është nxjerrë që është dëshmitar sipas Rregullës 154. Tani dëshmitari tjetër që është nxjerrë është sipas Rregullës 153. Do të thoja që për pjesën më të madhe të tyre, në mos të themi për të gjithë dëshmitarët që ngelin, presim që të bëjmë kërkesa sipas Rregullës 154, por edhe kjo varet nga marrja e autorizimeve nga marrësi i informacionit apo dëshmitarëve”, tha Mishetiq.

Ndërsa avokati i Jakujp Krasniqit, Aiden Ellis, tha se ekipi i tij ata synon t’i thërrasë vetëm pesë dëshmitarë.

“Janë pesë gjithsej. Dy prej tyre presim të paraqiten sipas Rregullës 154, dy sipas Rregullës 153 dhe një sipas Rregullës 155”, tha Ellis.

Mishetiq tha se mbrojtja pret autorizimin për 30 dokumente sipas Rregullës 170, ndërsa Ellis tha se nuk ka dëshmitar sipas kësaj rregulle, por disa pjesë të dokumenteve dhe shpjegoi se bëhet fjalë për pesë dokumente për të cilat ende nuk kanë marrë autorizim.

(Betimi për Drejtësi)