Avokati Radovan Çela dënohet me 2.8 vjet burg  për rastin “Toyota Auris”

Tiranë, 22 maj 2025 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të enjten më 22 maj vendimin për deklarimin fajtor të avokatit Radovan Çela, i akuzuar për korrupsion aktiv dhe ndikim të paligjshëm në çështjet penale që lidhen me dosjen e quajtur “Toyota Auris”. Në bashkim të dënimeve për secilën prej veprave penale për të cilat akuzohet, gjykata vendosi dënimin e tij me 4 vjet heqje lirie, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar ulet me 1/3-ën, duke u reduktuar në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie.

Trupi gjykues e zbuti masën e dënimit të kërkuar më parë nga prokurori Klodian Braho nga gjashtë vite në katër vite dënim. Edhe ish-prokurori Aurel Zarka u dënua dy ditë më parë me 2 vjet e 8 muaj heqje lirie për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në të njëjtat çështje. Dy të akuzuarit e tjerë, Erjona Daupaj dhe Astrit Vladi janë ende në kërkim dhe procesi gjyqësor ndaj tyre nuk ka filluar ende.

Dosja penale në ngarkim të avokatit Radovan Çela, ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficeres së policisë gjyqësore, Eriona Daupaj dhe biznesmenit Astrit Vladi, u dërgua për gjykim në fillim të muajit janar, ndërkohë që u nda çështja për të hetuar në vijim prokurorët, gjyqtarët apo funksionarët e tjerë të drejtësisë që dyshohet se lehtësuan akuzat për këto dosje.

Hetimet ndaj Zarkës dhe të pandehurve të tjerë u nisën bazuar në të dhënat e administruara nga aplikacionet SKY ECC. Sipas prokurorisë, është provuar fakti se katër të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.

Në vitet 2019 – 2020 kur janë kryer veprimet e kundraligjshme, Zarka ka qenë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Vlorës, e pandehura Eriona Daupaj ka qenë oficere e policisë gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krime të Rënda dhe më pas në SPAK, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qenë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasit Alfred Vladi në çështjen “Toyota Auris” – procedim që u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018 të 3.4 milionë eurove të thata të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.

(Reporter.al)