Avokati serb e sfidon pushtetin në Serbi, bën homazh në Kompleksin Memorial në Prekaz

Prishtinë, 18 janart 2024 – Avokati serb Çedomir Stojkoviq, mbrojtës i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, ka bërë homazhe te varri i Blerina Jasharit në Kompleksin Memorial në Prekaz.

Mbi varrin e Blerinës, e cila ishte 7-vjeçare kur u vra nga forcat serbe, në vitin 1998, Stojkoviq ka vënë një tufë lule dhe një mesazh kërkimfaljeje, në gjuhën shqipe, në gjuhԯn serbe dhe në gjuhën angleze.

“Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet paqe. Dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën ‘Më fal’”, thuhet në mesazhin e Stojkoviqit.

This image has an empty alt attribute; its file name is Mesazhi-i-avokatit-Cedomir-Stojkoviq-mbi-varrin-e-Blerina-Jasharit-Prekaz-640x400.jpg

Pas homazheve, në një prononcim për medie, Stojkoviq ka thënë se vizita e tij në Prekaz është mesazh për të ardhmen.

“Unë erdha këtu jo vetëm për të shprehur dhimbjen time për qytetarët e vrarë, pas 26 vjetësh, erdha këtu jo vetëm për të nderuar viktimat, por erdha këtu edhe për të dhënë një mesazh të qartë se ne po ndërtojmë një të ardhme më të mirë për jetën tonë. Njerëz, mos kini frikë! Nuk kemi pasur frikë dje, nuk kemi frikë sot dhe nuk do të kemi frikë nesër. Askush nuk do të na pengojë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë”, ka thënë ai.

Stojkoviq ka thënë se nuk ka frikë të përballet me pushtetin në Serbi pas këtij akti që konsideron sfidues për autoritetet në Beograd.

“Nesër do të kthehem në Beograd dhe nuk kam arsye të frikësohem. Ne e kemi obligim të bëjmë çka është e drejtë dhe çka është e duhur”, ka shtuar ai.

Stojkoviq ka thënë se ai do të vazhdojë të ndjehet e lirë edhe nëse në Serbi arrestohet për këtë akt.

“I arrestuar apo jo, do të vazhdoj të jem njeri i lirë, sepse liria nuk vjen nga gjykimet… Liria vjen nga zemra e njeriut”, u shpreh Stojkoviq.

Vizita e avokatit serb në Kompleksin Memorial në Prekaz është paralajmëruar para disa ditësh, si kundërpërgjigje ndaj politikës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Avokati Stojkoviq ka thënë se klienti i tij, opozitari serb Nikola Sanduloviq kishte bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz më 17 shkurt të vitit 2023. Më 3 janar 2024, Sandulloviq ishte arrestuar nga shërbimi sekret serb BIA, pasi kishte publikuar fotografi nga homazhet në Prekaz. Ai ishte torturuar rëndë fizikisht dhe psiqikisht nga shërbimi sekret serb, kurse tani ndiqet penalisht, me arsyetim se me këtë akt “ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.

Stojkoviq ka thënë se Sandulloviqi është arrestuar dhe keqtrajtuar barbarisht sepse do “pajtim mes kombeve”.

“Njëzet e pesë vjet pas luftës së Kosovës, si lufta e fundit ballkanike, vendi im arreston dhe rrah njerëz që duan pajtim mes kombeve, duke vendosur lule mbi varret e fëmijëve shqiptarë. Është dicka që nuk duhet ta injorojmë. Është një paralajmërim i qartë se e keqja nuk është mposhtur, se ajo pret kohën e vet…”, ka thënë ai.

(r.m.)