Avokatja nga Suedia: Nëse nuk do të zbulohej vrasja e Liridonës, Naimi do të mund të përfitonte rreth 850 mijë euro nga sigurimi

Prishtinë, 4 dhjetor 2023 – Avokatja kosovare që jeton e vepron në Suedi, Arlinda Lonçari, ka thënë se nga sigurimi jetësor e Liridona Ademajt në Suedi do të përfitonte bashkëshorti i saj, Naim Murseli, në qoftë se nuk do të zbardhej rasti i vrasjes.

“Në qoftë se nuk do të bëhej zbardhja e rastit, domethënë në qoftë se nuk do të zbulohej kush e ka kryer këtë vrasje, këto para do t’i merrte bashkëshorti i saj, bashkë me fëmijët. Së pari i takojnë bashkëshortit, por varet edhe se si i ka shkruar ai. Në qoftë se ai ka shkruar se ai do t’i merrte këto para, atëherë do t’i merrte ai”, ka thënë Lonçari.

Por, ajo ka theksuar se Naimi do të përfitonte vetëm pas përfundimit të hetimit dhe përjashtimit të çdo dyshimi se vrasja e Liridonës mund të jetë kryer për përfitim të mundshëm financiar të tij.

Avokatja Lonçari ka thënë se polisa më e lartë e sigurimit të jetës në Suedi arrin rreth 8 milionë krona suedeze apo afërsisht 850 mijë euro.

Loncari, duke iu referuar mediave suedeze, ka thënë se Naim Murseli ka punuar si këshilltar i sigurimeve në njërën prej kompanive më të mëdha të sigurimeve në Suedi, “Folksam”, gjë që shton dyshimet se vrasja e Liridonës mund të jetë kryer për përfitime financiare.

Avokatja Loncari ka folur edhe për fatin e dy fëmijëve të Liridonës. Ajo ka thënë se në raste të tilla fëmijët merren nën përkujdesje të shtetit dhe se ata vendosen në qendrat sociale në Suedi.

“Kur të mbërrijë në Suedi fëmijët do të merren menjëherë nga qendra sociale e pastaj do të fillojë procesi i vendimarrjes për vendosjen e fëmijëve në një familje tjetër si edhe për mirëqenien e tyre. Po asht, do të konstatohet se për çfarë ndihme tjetër kanë nevojë fëmijët, pas saj që kanë parë e përjetuar ata”, ka thënë Lonçari.

(r.m.)