Avokatura e Shtetit: Ambientet që i kishte në shfrytëzim “Fokus Media News” u liruan me vendim të Gjykatës së Apelit Administrativ

Tiranë, 9 gusht 2025 – Avokatura e Shtetit njoftoi se ndërhyrja për lirimin e ambeinteve të ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve” në Tiranë, të cilat janë shfrytëzuar nga Shoqëria “Fokus Media News” është bërë në bazë të vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ.

Avokatura e Shtetit, përmes një deklarate për shtyp, njoftoi se kontrata e shoqërisë “Fokus Media News” me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë kishte skaduar më 22 maj 2022, por qiramarrësi e kishte çuar çështjen në gjykatë, duke kërkuar masë të përkohshme sigurimi.

“Me përfundimin e kontratës më datë 22 maj 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka komunikuar zyrtarisht shoqërisë kërkesën për lirimin e ambienteve brenda datës 25 korrik 2022, në përputhje me afatet kontraktuale. Pavarësisht këtij njoftimi, subjekti nuk ka kryer dorëzimin vullnetar të pronës, por ka vijuar ta mbajë atë në kundërshtim me ligjin, duke iniciuar procese gjyqësore dhe duke kërkuar masa të përkohshme sigurimi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimit”, thuhet në njoftim.

Sipas Avokaturës së Shtetit, çështja i ka kaluar të gjitha shkallët e gjyqësorit, ndërsa detyrimi për lirimin e ambienteve nga Shoqëria “Fokus Media News” është marrë nga Gjykata e Apelit Administrativ.

“Vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i dhënë nga Gjykata e Apelit Administrativ me trup gjykues prej tre gjyqtarësh, ka konfirmuar detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambientit”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e plotë e Avokaturës së Shtetit:

Në përmbushje të misionit të saj kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë, Avokatura e Shtetit informon opinionin publik mbi ecurinë dhe përfundimin e proceseve gjyqësore të zhvilluara me Shoqërinë “Fokus Media News”, lidhur me ambientet në pronësi shtetërore pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve”, në zonën kadastrale nr. 8170, të mbajtura pa titull ligjor prej më shumë se tre vitesh, pas përfundimit të kontratës së qirasë.

Me përfundimin e kontratës më datë 22 maj 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka komunikuar zyrtarisht shoqërisë kërkesën për lirimin e ambienteve brenda datës 25 korrik 2022, në përputhje me afatet kontraktuale.

Pavarësisht këtij njoftimi, subjekti nuk ka kryer dorëzimin vullnetar të pronës, por ka vijuar ta mbajë atë në kundërshtim me ligjin, duke iniciuar procese gjyqësore dhe duke kërkuar masa të përkohshme sigurimi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimit.

Që prej vitit 2022, çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit – Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë – dhe ka përfshirë gjithashtu katër vendime mbi masa sigurimi.

Vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i dhënë nga Gjykata e Apelit Administrativ me trup gjykues prej tre gjyqtarësh, ka konfirmuar detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambientit.

Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cenohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.

Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12 mars 2025, kjo pronë i është kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., me destinacion ekskluziv përdorimin sipas objektit të saj, në këtë rast për bashkëprodhimin e mjeteve motorike.

Ky projekt strategjik synon rivitalizimin e industrisë ushtarake vendase, krijimin e vendeve të punës në ambientet e zonës së Shkozës dhe garantimin e interesave të sigurisë kombëtare dhe ekonomike.

Në pritje të vendimit të sipërcituar të Gjykatës së Apelit Administrativ, entet shtetërore, përfshirë “KAYO” sh.a., nuk kanë ndërmarrë veprime ekzekutive.

Tashmë, me rrëzimin përfundimtar të pretendimeve të palës private, kane vijuar procedurat ligjore për marrjen në posedim faktik të pronës te cilat janë në zhvillim e siper, për ekzekutimin e detyrimit të përcaktuar ne vendimet gjyqesore dhe lirimin e ambienteve te mbajtura pas perfundimit te kontrates.

Avokatura e Shtetit mbetet e angazhuar të ndjekë çdo mjet ligjor në dispozicion për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimeve gjyqësore dhe për mbrojtjen e pasurive shtetërore, si një detyrim i panegociueshëm ndaj qytetarëve dhe rendit kushtetues.

(r.m.)