Barak Ravid, AXIOS
Shtëpia e Bardhë beson se po i afrohet një marrëveshjeje me Iranin mbi një memorandum mirëkuptimi njëfaqësh për t’i dhënë fund luftës dhe për të vendosur një kornizë për negociata më të detajuara bërthamore, sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe dy burimeve të tjera të informuara mbi këtë çështje.
SHBA-të presin përgjigje iraniane për disa pika kyçe në 48 orët e ardhshme. Ende nuk është rënë dakord për asgjë, por burimet thanë se palët janë më afër një marrëveshjeje se asnjëherë që nga fillimi i luftës.
Shumë nga kushtet e përcaktuara në memorandum do të varen nga arritja e një marrëveshjeje përfundimtare, gjë që lë të hapur mundësinë e një lufte të re ose të një pezullimi të zgjatur në të cilin lufta e armatosur do të ndalej, por asgjë nuk do të jetë zgjidhur në të vërtetë.
Shtëpia e Bardhë beson se udhëheqja iraniane është e ndarë dhe mund të jetë e vështirë të arrihet konsensus midis fraksioneve të ndryshme. Disa zyrtarë amerikanë mbeten skeptikë se do të arrihet edhe një marrëveshje fillestare.
Zyrtarët amerikanë janë shprehur optimist për një marrëveshje për disa pika gjatë raundeve të mëparshme të negociatave dhe gjatë luftës aktuale, por ende nuk është arritur një një marrëveshje e tillë.
Por dy zyrtarët amerikanë thanë se vendimi i Presidentit Trump për t’u tërhequr nga operacioni i në Ngushticën e Hormuzit dhe për të shmangur ndërprerjen e armëpushimit të brishtë bazohet në përparimin e bërë në bisedime.
Memorandumi i mirëkuptimit (MOU) me një faqe dhe 14 pika po negociohet midis të dërguarve të Trumpit, Steve Witkoff e Jared Kushner, dhe disa zyrtarëve iranianë, si drejtpërdrejt ashtu edhe nëpërmjet ndërmjetësve.
Në formën e tij aktuale, MOU do të deklaronte fundin e luftës në rajon dhe fillimin e një periudhe 30-ditore për negociata mbi një marrëveshje të detajuar për të hapur Ngushticën, për të kufizuar programin bërthamor të Iranit dhe për të hequr sanksionet e SHBA-së.
Këto negociata mund të ndodhin në Islamabad ose Gjenevë, thanë dy burime.
Sipas një zyrtari amerikan, kufizimet e Iranit për transportin detar përmes Ngushticës dhe bllokada detare e SHBA-së do të hiqen gradualisht gjatë periudhës 30-ditore.
Nëse negociatat dështojnë, forcat amerikane do të jenë në gjendje të rivendosin bllokadën ose të rifillojnë operacionet ushtarake, tha zyrtari amerikan.
Kohëzgjatja e moratoriumit për pasurimin e uraniumit po negociohet në mënyrë aktive. Tri burime thanë se moratoriumi do të jetë të paktën 12 vjeçar, një burim tha se [moratotiumi] do të zgjasë 15 vjet. Irani propozoi një moratorium 5-vjeçar për pasurimin e uraniumin, kurse SHBA-të kërkojnë moratorium 20 vjeçar.
SHBA-të duan të fusin një dispozitë sipas së cilës çdo shkelje nga Irani për pasurimin e uraniumit do ta zgjaste moratoriumin, tha burimi. Irani do të jetë në gjendje të pasurojë uraniumin deri në nivelin e ulët prej 3.67% pas skadimit të moratoriumit.
Në Memorandumin e Mirëkuptimit Irani do të obligohej që kurrë të mos synonte armë bërthamore dhe të mos kryente aktivitete që lidhen me armatimin. Sipas një zyrtari amerikan, palët po diskutojnë një klauzolë sipas së cilës Irani do të zotohej të mos operonte në objekte bërthamore nëntokësore.
Sipas zyrtarit amerikan, Irani do të mundësonte një regjim të zgjeruar inspektimesh [në kapacitetet bërthamore], përfshirë inspektime të menjëhershme nga inspektorët e OKB-së.
Ndërkaq, SHBA-të, me Memorandumit të Mirëkuptimit, do të zotoheshin për heqjen graduale të sanksioneve të vendosura ndaj Iranit dhe për lirimin gradual të miliarda dollarëve të fondeve iraniane të ngrira në mbarë botën.
Dy burime të informuara me situatën thanë gjithashtu se Irani do të binte dakord ta largonte nga vendi uraniumin e tij të pasuruar në shkallë të lartë, një priotitet thelbësor i SHBA-së që është refuzuar nga Teherani deri më tash.
Një burim tha se zhvendosja e materialit bërthamor në SHBA është një opsion tjetër që po diskutohet.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha të martën se “nuk kemi nevojë ta kemi marrëveshjen aktuale të shkruar brenda një dite”.
“Kjo është një çështje shumë komplekse dhe teknike. Por, ne duhet të kemi një zgjidhje diplomatike që është shumë e qartë mbi temat për të cilat ata janë të gatshëm të negociojnë dhe mbi lëshimet që janë të gatshëm t’i bëjnë që në fillim, në mënyrë që të shpaguhet”, shtoi ai.
Por, Rubio i quajti edhe si të “çmendur nga truri” disa nga udhëheqësit kryesorë të Iranit dhe shtoi se nuk ishte e qartë nëse ata do të pranonin një marrëveshje.
(r.m.)