Babai me dy fëmijë e humbën jetën nga zjarri në banesën e tyre në Malishevë

Prishtinë, 16 prill 2026 – Dy fëmijë dhe babai i tyre e kanë humbur jetën nga shpërthimi i një zjarri në një banesë në lagjen “Mirëdita”, në Malishevë.

Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, ka konfirmuar se në këtë aksident të rëndë e kanë humbur jetën fëmijët e moshës 9 dhe 12 vjeçare dhe babai i tyre i moshës 35-vjeçare.

Zëdhënësi policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka treguar se policia është njoftuar për rastin rreth orës 12:55.

“Sot, rreth orës 12:55, jemi njoftuar për një incident zjarri në një banesë në lagjen ‘Mirëdita’, në Malishevë. Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente”, ka deklaruar Elezaj.

Ai ka thënë se në vendin e banesën e përfshirë nga zjarri janë dy fëmijët dhe babai i tyre, të cilët nuk u kanë mbijetuar plagëve.

“Në këtë banesë janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë ku është konstatuar se të njëjtit ishin pa shenja jete”, ka thënë Elezaj.

Identiteti i viktimave nuk është publikuar nga autoritetet kompertente.

KOHA ka mësuar se banesa e përfshirë nga zjarri është pjesë e kompleksit të banesave të rasteve sociale. Sipas burimeve të këtij medium, në atë banesë kanë jetuar babai tani i ndjerë me katër fëmijët e tij. Në momentin e shpërthimit të zjarrit në banesë nuk kanë qenë dy prej fëmijëve. Njëri fëmijë ka qenë në shkollë, kurse tjetri ja qenë në çerdhe. 

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, ka thënë se viktimat kanë vdekur nga asfiksia.

Shkaqet e shpërthimit të zjarrit nuk dihen ende. Policia njoftoi se prokurori i shtetit është njoftuar lidhur me rastin dhe se tashmë kanë filluar hetimet për zbulimin e shkaqeve.

“Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje”, ka thënë Elezaj.

Prokuria njoftoi se ka inicuar hetimet lidhur me rastin.

“Prokuroria ka inicuar rastin si hetim i vdekjes dhe ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drin Domi.

Në media patyi raportimi se zjarri ka shpërthyer nga një bombolë gazi. Por, prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni tha se ende nuk ka konfirmim të informacionit për shpërthim të bombolës.

“Nuk kemi informacion për këtë (bombolë gazi) por eksperti i zjarrit po merret me çështjen. Në vendin e ngjarjes në tërësi shihet se është tym e zjarrvënie, por se si e çka më tutje do t’ju njoftojmë pasi të marrim raportin nga ekspertët përkatës”, është shprehur ajo.

Autoritetet shtetërore të Kosovës kanë shprehur dhimbje për tri viktimat e zjarrit dhe u kanë shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të tyre.

“Me dhimbje të thellë e mora lajmin për humbjen tragjike të një babai dhe dy fëmijëve nga zjarri që ndodhi sot në Malishevë. Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimave”, ka thënënë Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është i tronditur nga kjo ngjarje tragjike, të cilën e ka cilësuar si pasojë të shpërthimit të bombolës së gazit në banesë.

“Jam i tronditur nga rasti i vdekjes së tre familjarëve, babait me dy fëmijë, nga zjarri si rezultat i shpërthimit të bombolës së gazit në Malishevë. Në këto momente të rënda shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë familjarët e viktimave”, ka shkruar Kurti në Facebook.

(r.m.)