Babai një të riu serb të vrarë në Pejë ,në vitin 1998: Vuçiq të tregojë çfarë ndodhi në kafenenë “Panda”

Beograd, 25 shkurt 2026 – Babai i njërit prej të rinjëve serbë të vrarë në kafenenë “Panda” në Pejë, Lubomir Ristiq, tha sot se Prokuroria për Krimin e Organizuar duhet ta marrë në pyetje Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me rastin e vrasjes së gjashtë të rinjëve më 14 dhjetor 1998.

Ristiq i tha agjencisë Beta se familjet e të rinjëve të ndjerë kanë kërkuar vazhdimisht të pranohen te Vuçiqi pas deklaratës së tij se ai “di çfarë ndodhi natën kritike në ‘Panda'”, por ata nuk u pranuan asnjëherë

Ristiq shtoi se familjet dhe përfaqësuesi i tyre ligjor, avokati Ivan Niniq, kanë kërkuar zyrtarisht e në mënyrë të përsëritur nga Prokuroria për Krimin e Organizuar që ta marrë në pyetje Vuçiqin, por hetimi lidhur me rastin nuk është kryer deri më sot.

“Vuçiqi nuk na priti kurrë në takim, edhe pse kishte premtuar se do ta bënte këtë, ndërsa Prokuroria për Krimin e Organizuar, ku po zhvillohet hetimi për vrasjen e fëmijëve tanë, nuk e ka marrë në pyetje Vuçiqin as pas më shumë se dhjetë vjetësh që ai kishte deklaruar publikisht në disa raste se ka njohuri për krimin në ‘Panda’. Po i kërkoj Prokurorisë për Krimin e Organizuar që më në fund ta marrë në pyetje Vuçiqin, në mënyrë që të zbulohet sa jemi ne gjallë se kush ishin autorët dhe kush urdhërdhënësit për vrasjen e gjashtë djemve tanë”, tha Ristiq.

Më 10 gusht 2023, përfaqësuesi ligjor i familjeve të djemve të vrarë në kafenenë “Panda”, avokati Ivan Niniq, i kërkoi Prokurorisë që ta marrë në pyetje Vuçiqin për shkak të deklaratave të tij të mëhershme se gjoja e di çfarë ka ndodhur më 14 dhjetor 1998 në “Panda”.

Ai tha se Prokuroria për Krimin e Organizuar dhe Kryeprokurori Mladen Nenadiq “prej tre vjetësh nuk guxojnë ta marrin në pyetje Vuçiçin pasi ai ka thënë vetë se di diçka, ndërsa sipas të njëjtit parim janë marrë në pyetje pothuajse 40 dëshmitarë”.

Në kërkesë,thuhet se prindërit e të rinjëve të vrarë kërkojnë që Vuçiq të merret në pyetje lidhur me deklaratat e tij për krimin e kryer në “Panda”, të cilat ai i ka përsëritur publikisht në disa raste nga viti 2013 deri në vitin 2018, duke pretenduar se krimi nuk është kryer nga shqiptarët dhe se ai “pothuajse e di” se çfarë ka ndodhur natën fatale në atë kafene.

Më 26 dhjetor 2013, në programin “Teshka reç”” në TV Pink, Aleksandar Vuçiq, atëherë nënkryetar i parë i Qeverisë së Serbisë dhe shef i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, sitohet të ketë thënë: “Krimi në ‘Panda’ nuk është kryer nga shqiptarët, siç besonim deri më tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”.

Dy vjet më vonë, më 11 dhjetor 2015, në një konferencë për shtyp në Qeverinë e Serbisë, Vuçiq ka thënë se ishte “pothuajse i sigurt” se çfarë ka ndodhur në kafenenë “Panda”.

“Po kërkojmë me duar në errësirë. Jam pothuajse i sigurt se çfarë ka ndodhur në kafenenë ‘Panda’, por nuk kam prova. Nuk jam i sigurt nëse autoritetet tona mund të krenohen me atë që bënë atëherë”, kishte thënë Vuçiq.

28 vjet më parë, më 14 dhjetor 1998, rreth orës 8:00 të mbrëmjes, dy sulmues të maskuar kishin hapur zjarr me pushkë automatike ndaj mysafirëve në kafenenë “Panda”, shumica e të cilëve ishin nxënës të gjimnazit në Pejë. Në këtë sulm ishin vrarë: Ivan Obradoviq (15), Zoran Stanojeviq (18), Vukota Gvozdenoviq (16), Svetislav Ristiq (18), Ivan Radeviq (24) dhe Dragan Trifoviq (18); ishin plagosur rëndë: Vladimir Lonçareviq (18) dhe Mirsad Shaboviq (34), ndërsa ishte plagosur lehtë Nikola Rajoviq (18).

Disa ditë pas krimit, Sigurimi Shtetëror i Serbisë e kishte arrestuar dhe fajësuar një grup shqiptarësh vendas, por ata ishin liruar nga paraburgimi për shkak të mungesës së provave.

Zëvendëspresidenti i atëhershëm i Qeverisë Federale të RFJ-së, Nikola Shainoviq, i cili ishte i ngarkuar për Kosovën, kishte deklaruar pas pak ditësh se “rasti Panda” ishte zgjidhur.

Hetimet lidhur me rastin e vrasjes në kafeterinë “Panda” në Pejë kanë nisur në vitin 2016, në Prokurorinë për Krimin e Organizuar në Beograd. Deri më tani janë dëgjuar 39 dëshmitarë, por ende nuk është ngritur asnjë akuzë.

Në shtator të vitit 2025 Prokuroria për Krimin e Organizuar njoftoi se hetimi për vrasjen e gjashtë të rinjve në kafenenë “Panda” në Pejë nuk është ndërprerë, ndonëse pprej dy vjetësh, siç kishte thënë, nuk është dëgjuar asnjë dëshmitar i vetëm dhe as nuk është ndërmarrë asnjë veprim provues.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Agjencisë së Lajmeve Beta në lidhje me bllokimin në hetimit lidhur me këtë vrasje, Prokuroria për Krimin e Organizuar tha se prej 12 majit 2016, kur ka filluar hetimi, janë marrë në pyetje 39 dëshmitarë, por  në dy vitet e fundit nuk është marrë në pyetje asnjë dëshmitar i ri.

Në pyetjen se përse Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është marrë në pyetje pas deklaratave të tij se ai e dinte çfarë kishte ndodhur në “Panda” dhe se “ai krim nuk ishte kryer nga shqiptarët”, Prokuroria tha se ende nuk ka vendosur për marrjen në pyetje të dëshmitarëve të rinj.

“Prokuroria për Krimin e Organizuar do të vendosë për dëshmitarët që do të merren në pyetje në këtë hetim, përfshirë Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe për kohën kur duhet të ndërmerren këto veprime, në përputhje me vlerësimin objektiv të situatës faktike të përcaktuar deri më tani dhe vlerësimin se kur është më e dobishme të kryhen këto veprime provuese”, u përgjigj Prokuroria.

(Danas)