Bajnska, një histori e përsëritur

Nga Shkëlzen Gashi

Një prej dhuratave që mora në ShBA është një libër i gazetarit Vehbi Bajrami me titull ‘Shqiptarët e Amerikës’, me parathënie të Ismail Kadaresë, i botuar më 2003. Libri është me vlerë të jashtëzakontë, përmban 1000 faqe dhe është shkruar për një dekadë (1993-2003).

Në vitin 1993 gazetari Vehbi Bajrami kishte shkuar në Clearwater (Florida) për ta intervistuar 96 vjeçarin Ago Agaj, ‘vlonjatin e Kosovës’ që gjatë Luftës së Dytë Botërore e kishte qeverisë Mitrovicën.

Siç rrëfen Ago Agaj në këtë intervistë, me ta marrë pushtetin në Mitrovicë, e kishte caktuar kryegjykatës Shefqet Shkupin, kryeprokuror Kudret Kokoshin, kurse komandant të xhandarmarisë Bajazit Boletinin.

Ajo që më bëri më së shumti përshtypje te biseda me Agajn, është se në vitin 1943 forca tërroriste sërbe të udhëhequra nga Draža Mihailović e kishin sulmuar xhandarmërinë në Banjskë. Fiks 80 vjet më pas, më 2023, forca terroriste sërbe nën komandë të Milan Radojčić-it e sulmojnë policinë e Kosovës në Banjskë.

Në lidhje me këtë, po e sjellë këtu një insert nga rrëfimi i Ago Agajt:

“Forcat e Draža Mihailović-it sulmuan xhandarmërinë në Banjskë. U nisën lajmëtarët në këmbë e me kuaj, për të dhënë kushtrimin në gjithë rrethin: ‘Burrë për derë që ka armë, të paraqitet sa më parë’. Në këtë kohë, një dorë gushkuqër, të komanduar prej nëntogerit Mehmet Gradica, arriti në Banjskë dhe me sulm të tërbuar, si vetëm burrat e Llapit mund të bëjnë, e zunë ditën në drekë postkomandën. Vetëm pak ushtarë të Draža Mihailović-it mundën të shpëtonin. Kufomat e xhandarëve tanë të vrarë nga çetnikët sërbë nuk ishin varrosur akoma. Qenë hedhur së bashku pranë rrëkesë, pasi u kishin prerë hundë e buzë e bërë të tjera shëmtime. Pasi i fotografuam, i varrosëm. Më tej i varrosëm edhe çetnikët sërbë, por të pacënuar. Kurrë nuk kam mundur ta kuptoj këtë zakon të shëmtimit të armiqëve të vrarë nga ana e sërbëve. Feja krishtere nuk e lejon këtë, por besoj se është trashëgim i kohëve pagane, sjellë prej stepave të Azisë”.

Comment

*