Është iluzore të presim të funksionojë “Ballkani i hapur” kur, në anën tjetër, kemi disa dyer të mbyllura, siç është Kosova, çelësat e të cilave ende i mban peng Serbia.
Vuçiqi ndryshe sillet në Bruksel, e krejt ndryshe në Shkup. Në Bruksel sillet si një iriq që përdor gjilpëra për t’u mbrojtur nga kundërshtari, kurse në Shkup sillet si një qengj që është i gatshëm ta flijojë lëkurën e tij për një copë demagogji që e shet tepër lirë në mejhanen ballkanike, në stilin “gjithçka 1 euro!”.
Në përballje me delegacionin kosovar në Bruksel, Vuçiqi teksa refuzon çdo iniciativë të Kurtit, tregon në praktikë çfarë shkatërruesi urash të bashkëpunimit rajonal është, ndërkohë që në Shkup, përkrah Ramës e Zaevit, mundohet të veshë një kostum tjetër që e shet si modën e fundit të tolerancës e mirëkuptimit. Në fakt, garderobës së Vuçiqit në të ashtuqujaturin Forumi Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal në Shkup, i vjen erë ngapak mesjetare, sepse ai e mohon me kokëfortësi ekzistimin e shtetit të Kosovës dhe të gjitha derivatet që dalin nga kjo, përfshirë edhe ballafaqimin me të kaluarën kriminale, identifikimin e të pagjeturve, denacifikimin e jetës politike e institucionale, reparacionin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës dhe okupimit të Kosovës etj.
“Jemi këtu për të vendosur për të ardhmen tonë të përbashkët. Ne nuk kemi probleme mes veti… Nuk do të ketë as kufij për të na ndaluar”, tha Vuçiqi në Forumin Ekonomik që po mbahet në Shkup.
Po, për të cilën të ardhme flet Vuçqi? Dhe, si qenka e mundur të mos kemi probleme në mes veti, siç thotë ai, ndërkohë që natë e ditë punon që Kosovës t’i krijojë probleme në etablimin e saj si shtet, brenda vetes dhe në arenën ndërkombëtare?
Vuçiqi tash e sa vite punon që Kosova të jetë shtet jofunksional, kurse lidhjet e saj me botën janë minuar nga përpjekjet e Beogradit për të zbehur legjtimitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Pastaj, për cilët kufij flet Vuçiqi, ndërkohë që ai ende në kushtetutën e vet e ka Kosovën si pjesë të Serbisë? Puna e parë që do të duhej ta bënte ai, nëse do t’ia kërkonin Rama e Zaevi në Shkup, do të ishte çlirimi i Serbisë nga mitomania mesjetrae për ta trajtuar Kosovën si djep të saj.
Ta trajtosh Kosovën si pjesë konstitutive të Serbisë, siç po vepron Vuçqi, në njërën anë, dhe të kërkosh heqjen e kufinjve me Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedoninë e Veriut, në anën tejtër, është njësoj sikur të ndërtosh një shtëpi duke filluar nga pullazi.
Çfarë bashkëpunimi ekonomik rajonal mund të ndodhë nëse Kosova lihet në fushën e manovrave subversive të Serbisë, e cila po punon pa reshtur për bosnjizimin e kësaj pjese të rajonit?
Bisedimet e deritanishme të Brukselit kanë dëshmuar se Vuçiqi nuk e ka ndërmend të ballafaqohet me të kaluarën dhe nuk e ka ndërmend ta trajtojë Kosovën si shtet fqinj. Vuçiqi shkon në Bruksel për të siguruar statusin e popullit shtetformues për serbët e Kosovës, duke i futur ata në paradhomat e bosnjizimit.
“Ballkani i hapur” është zëvendësim i termit “Mini-Shengeni Ballkanik” të shumëkritikuar. Treshja Rama, Zaev, Vuçiq është përcaktuar për këtë emërtim të ri për një arsye shumë të theshtë: që t’i ikin tiranisë publike që shkaktonte sintagma “mini-Shengeni Ballkanik. Por, në fakt, emërtimi i ri nuk mund t’i fshehë në thes brirët kontravers të një iniciative që niset prej askundit dhe përfundon në askund.
Problemi kryesor me të cilin ballafaqohet kjo nismë e re rajonale, e cila e ndryshon emrin varësisht nga presioni publik, është se tri shtetet – Shqipëria, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Serbia – i kanë përjashtuar vendet e BE-së nga procesi i Berlinit.
Problemi tjetër është se rolin udhëheqës në këtë iniciativë rajonale dhe jo evropiane do ta ketë Serbia, si shteti më i madh dhe më i fuqishëm në rajon, i cili edhe i imponon rregullat e lojës. Për rrjedhojë, në këtë konfigurim rajonal Kosova nuk mund t’i ketë mekanizmat e nevojshëm, çfarë i siguron Procesi i Berlinit, për arsye se në “Ballkani i hapur” fjalën kryesore e ka Serbia. Kjo e fundit ende po e mban Kosovën peng të atavizmave të saj dhe, për pasojë, rajoni nuk mund të ketë ndonjë bashkëpunim efikas nëse disa rrugë mbeten të bllokuara. Një prej atyre rrugëve kalon nëpër Kosovë, prandaj mbetet e paqartë se çfarë qarkullimi ekonomik e tregtar do të ketë në mes të Serbisë dhe Shqipërisë, nëse Kosova trajtohet si një gropë e zezë.
“Shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të presin që të futen në BE për të lëvizur lirshëm me njëri-tjetrin, por duhet të bëhen pjesë e kësaj nisme strategjike”, thuhej në njërin prej formulimeve që dominuan në retorikën e tre liderëve balkanikë në Shkup.
Nëse qenka kaq e lehtë bërja e strategjive rajonale, atëherë përse liderët nga Beogradi dhe Prishtina ka vite që ballfaqohen me kundërshtime në tejkalimin e problemeve në mes Kosovës dhe Serbisë?
Përsse liderët rajonalë që i nënshkruan disa dokumente në kuadër të të ashtuquajturit “Ballkani i hapur”, në Shkup, nuk iu qasën një problemi shumë më të qenësishëm, siç është kontesti i hapur mes Kosovës dhe Serbisë, por zgjodhën ta anashkalojnë këtë problem, në emër të njëfarë mirëkuptimi rajonal strategjik?
Çfarë mirëkuptimi rajonal mund të ketë, kur pjesëtarë të Qeverisë së Serbisë në Beograd për çdo ditë dërgojnë mesazhe kërcënuese militariste në adresë të Kosovës, duke minuar çfarëdo shansi për ndonjë kompromis të mundshëm?
Është iluzore të presim të funksionojë “Ballkani i hapur” kur, në anën tjetër, kemi disa disa dyer të mbyllura, siç është Kosova, çelësat e të cilave ende i mban peng Serbia.