Festimi i gjashtë vjetorit të Albanians Fighting Cancer AFC USA në këtë tetor rozë tregoi forcën që ka mbështetja njerëzore dhe fuqinë që vjen nga bamirësia. “Gjashtë vjet më parë, nuk u nisëm si organizatë, por si një bashkëbisedim për të mësuar më shumë për sëmundjen e kancerit, pas diagnostikimit të motrës sime, Noelës,” kujtoi Roberta Panariti Nashi, Presidente dhe themeluese e AFC USA, duke hapur festimin ditën e shtunë në Leo’s Restaurant në Braintree, Mass. “Edhe sot, jemi këtu për të dëgjuar nga ju dhe për të qenë pranë jush,” theksoi ajo duke iu afruar Mozës dhe Myzi Ormenajt për të thënë përjetimet e tyre.
Meqë as kanceri, por as bamirësia nuk njohin kufij, historitë e të mbijeturave ishin të pranishme si në sallën elegante në qytetin Braintree, ashtu edhe përtej oqeanit gjatë ditëve të Festivalit MIK tek rasti i Brikelës nga Korça, e cila arriti të hynte në operacionin shpëtimtar për jetën e saj në sajë të ndihmës që i dha AFC-ja.
Çfarë nuk thuhej me fjalë në sallë, rridhte në lotët e Vasilikës për nënën që nuk është më dhe në kujtimet për ndarjen e hershme nga jeta të mamasë së Anisës si edhe tek pjesëmarrës të tjerë.
Veç ndihmës së drejtpërdrejtë për 167 raste individuale, AFC USA ka çuar pajisje dhe medikamente në spitalet e Korçës, Përmetit, Gjirokastrës, Durrësit, Shkodrës dhe në Kosovë. Në muajin mars 2025 një kargo me vlerë 280,000 dollarë u dërgua në Shqipëri në sajë të partnerëve të AFC, MedWish International dhe Drejtueses Manaxhuese të Kosloski Family Foundation, Fotini Kokeri.
Por një bamirësi nuk mbetet vetëm. Prej dhurimeve të arritura në Shqipëri tashmë mundësohen ndërhyrje dhe operacione që mund të kryhen në qytetin tonë, thanë mjekët Samuel Kristo, Shefi i Senatoriumit të spitalit të Korçës dhe Dr. Ervis Agasta, i cili sapo përfundoi specializimin në qendrën Moffitt Cancer Center në Florida dhe do kthehet në Shqipëri këtë javë. Ata u nderuan me certifikatë falenderimi për punën përtej detyrës humane në mjekësi duke bashkëpunuar me AFC për sigurimin e mjeteve që ndihmojnë trajtimin e pacientëve.
Organizatoret Anila Raxhimi, motrat Zana dhe Elisa Balashi ishin përkujdesur duke i kushtuar vëmendje çdo detaji të mbrëmjes. Momentet e ndarjes dhe shpalljes së fituesve të biletave rozë të dhurimeve për bamirësi (raffles) solli situata gazmore për pjesëmarrësit.
Në pjesën e programit artistik të festës pesëorëshe kishte këngëtare dhe instrumentistë të talentuar si Altea Ali, me interpretimin e hymneve kombëtare shqiptare dhe amerikane dhe disa këngë të zgjedhura, violinistja shumë e njohur Rozita Fishta luajti në pjesën hyrëse dhe pastaj shoqëroi disa krijime të preferuara të kënduara nga Justina Fishta dhe Roberta Panariti, dhe JorgoDJ kënaqi mysafirët gjithë pjesën tjetër të festimit.
Duke ftuar njëra tjetrën përpara aparateve, shoqet Kela, Mira, Ariana, Valbona, i thoshin njëra tjetrës se “kjo është çfarë na duhet për të harruar për pak orë ngarkesën e përditshme të jetës.”
Festimi shumëngjyrësh i përvjetorit të gjashtë të AFC-së ishte një mbasdite tetori që na takon të gjithëve, njerëzve në të dyja anët e aktit të dhurimit, kontribuesve dhe të prekurve nga kanceri, nënave apo prindërve që shkuan para kohe nga kanceri dhe atyre që do diagnostikohen me sëmundjen, që mesatarisht prek një në tre vetë në Amerikë. Duke ju gjendur njëri tjetrit, sfida bëhet më e përballueshme dhe bamirësia shumëfishohet kur jep dhe gjen mbështetje tek Shqiptarët Kundra Kancerit Albanians Fighting Cancer AFC USA https://albaniansfightingcancer.org