Bandat kriminale paguajnë studiot ligjore dhe mjekët për të penguar deportimin e emigrantëve shqiptarë nga Mbretëria e Bashkuar

Londër, 19 gusht 2022 – Studiot ligjore në Britani të lidhura me bandat kriminale, po paguajnë mjekët që të hartojnë raporte mjeko-ligjore false për emigrantët shqiptarë, në mënyrë që ata të mos deportohen nga autoritetet.

Daily Mail ka publikuar skemën që përdorin bandat për të mos lejuar deportimin e emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë nga Shqipëria. Kjo skemë përfshin studiot ligjore dhe psikologë apo psikiatër të ndryshëm.

Bandat shqiptare, përmes studiove ligjore paguajnë psikologët për të nxjerrë raporte mjeko-ligjore të falsifikuara, ku pretendojnë se emigrantët e paligjshëm, nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore, apo kanë probleme të theksuara të shëndetit mendor.

Kjo bëhet për të evituar arrestimin dhe intervistimin e emigrantëve nga Home Office në Britani. Autoritetet po punojnë për identifikimin e studiove ligjore të lidhura me bandat dhe mbylljen e aktivitetit të tyre.

“Shumë prej këtyre studiove ligjore, janë biznese shumë të vogla, kryesisht me avokatë dhe këshilltarë ligjorë të imigracionit që janë të përfshirë në një lloj lidhjeje kriminale. Ajo që ne përcaktuam ishte se shqiptarët e përfshirë po paguanin ato firma ligjore që më pas paguanin për disa mjekë për të prodhuar atë raport. Ka disa studio ligjore që ne ndihmuam rregullatorë t’i hetojnë dhe t’i mbyllin” – thotë një burim nga autoritetet e drejtësisë britanike për Daily Mail.

“Ato priren të jenë në fundin e vogël të spektrit, por janë gjashtë ose shtatë nga këto firma që janë ende shumë të përhapura në këtë hapësirë.” Disa këshilltarë ligjorë, kompanitë e të cilëve janë mbyllur, kanë mundur thjesht të rifillojnë me një emër të ri për shkak të boshllëqeve në procesin e rregullimit ligjor.

Në raste të tjera, privilegji ligjor – konfidencialiteti ndërmjet një avokati dhe klientit të tyre – është përdorur për të bllokuar hetimet e Home Office. Në një rast befasues, një i afërm i një shtetasi shqiptar të ndaluar i shkroi Home Office duke treguar se si i kishin paguar 5000 £ një studio ligjore për t’i liruar.

Në mënyrë të pabesueshme, ata u ankuan për dështimin për të siguruar lirimin e të afërmit të tyre dhe madje emëruan firmën ligjore të përfshirë. Letra jepte prova të forta vendimtare për hetime të mëtejshme në firmë.

Home Office ka forcuar rregullat për raportet mjeko-ligjore, duke përfshirë edhe kush mund t’i shkruajë ato, dhe tani mund të kërkojë një mendim të dytë nga një mjek i emëruar zyrtarisht.

(Panorama.al)