Banka Botërore: Ekonomia e Kosovës ra në 3.6 për qind, në tremujorin e parë të vitit 2025

Prishtinë, 7 tetor 2025Raporti i Bankës Botërore për rajonin e Ballkanit ka paraqitur të dhëna edhe për ekonominë e Kosovës. Në raport thuhet se në vitin 2025 në Kosovë janë rikthyer presionet nga inflacioni, i nxitur nga ngritja e çmimit të energjisë dhe ushqimeve, gjë që ka ndikuar në uljen e të ardhurave reale.

Në raport thuhet se pas një rritjeje prej 4.4 për qind të vitit 2024, në tremujorin e parë të vitit 2025 rritja në ekonominë e Kosovës ka rënë në 3.6 për qind, për shkak të uljes së konsumit të familjeve dhe dobësimit të kërkesës së jashtme.

Tutje thuhet se vonesat e zgjatura në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe të ngadalësojnë përparimin në reformat strukturore.

Në raport po ashtu thuhet se pagat reale u rritën me 10.3 për qind në vitin 2024, të mbështetura nga një rritje e pagës minimale, por punësimi formal u rrit vetëm në mënyrë modeste, me një mesatare prej 1.4 për qind në gjysmën e parë të vitit 2025.

Edhe investimet u forcuan, me bruto të kapitalit që u rrit me 13.6 për qind, duke nxitur aktivitete në ndërtimtari dhe industri përpunuese, ndërsa shërbimet financiare u zgjeruan përkrah kërkesës në rritje.

Kërkesa e fortë e brendshme gjithashtu nxiti rritjen e importeve, të cilat u rritën me 14.5 për qind në pesë muajt e parë të vitit, duke tejkaluar një rritje prej 12 për qind të eksporteve.

“Dërgesat nga diaspora dhe investimet e huaja direkte dhanë vetëm mbështetje të kufizuar, duke shënuar rritje përkatësisht prej 3.5 për qind dhe 3.6 për qind deri në maj”, thuhet tutje.

Kërkesa e lartë e brendshme, përfshirë rritjen e konsumit të qeverisë, së bashku me çmimet në rritje të ushqimeve, pijeve, energjisë elektrike dhe shërbimeve, nxiti inflacionin në gjysmën e parë të vitit 2025.

“Inflacioni i konsumatorit arriti në 4.3 për qind në korrik 2025, duke e çuar mesataren për periudhën janar–korrik në 3 për qind. Edhe inflacioni bazë u rrit gjatë kësaj periudhe, duke arritur një mesatare prej 1.5 për qind deri në korrik 2025”, thuhet në raportin e BB-së.

Rreziqet fiskale dhe ato në sektorin financiar mbeten të kufizuara, duke ofruar një sfond të qëndrueshëm për ekonominë, pavarësisht ngadalësimit të rritjes.

“Pozicioni fiskal vazhdon të mbështetet nga taksat e forta mbi shpenzimet aktuale, së bashku me ekzekutimin më të lartë të investimeve publike, të cilat pritet të mbajnë deficitin fiskal rreth 1 për qind të PBB-së midis viteve 2026 dhe 2027.

Një pjesë e raportit e Bankës Botërore ka të bëjë edhe me perspektivën dhe pasigurinë.

“Vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ngadalësojnë zbatimin e agjendës së reformave strukturore dhe të vonojnë aksesin në financim të jashtëm, përfshirë Planin e ri të Rritjes së BE-së”, thuhet tutje.

Raporti thekson se emigrimi i vazhdueshëm është pengesë për rritjen, ndërsa potenciali i pashfrytëzuar vendas, veçanërisht i grave, mund të zhbllokohet duke rritur pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore.

(Telegrafi)