Banka Botërore parasheh rritje ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor

Uashington, 11 prill 2024 – Banka Botërore ka parashikuar në një raport të enjten rritje ekonomike prej 3.2 për qind këtë vit dhe prej 3.5 për qind në vitin 2025 në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Rritja në vitin 2023 ra në 2.6 për qind nga 3.4 për qind sa ishte më 2022, kryesisht si pasojë e konsumit dhe tregtisë, duke pasqyruar ekonominë e dobët në Bashkim Evropian, i cili është partner i rëndësishëm i tregtisë për Ballkanin Perëndimor.

Në raportin e saj vjetor për Kosovën, Shqipërinë, Bonjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, Banka Botërore e ngriti parashikimin e rritjes për vitin 2024 për 0.2 për qind krahasuar me raportet paraprake, duke u bazuar në optimizmin se rajoni i ka tejkaluar krizat prej pandemisë së COVID-19.

Por, ajo paralajmëroi për rreziqet e vazhdueshme të tregtisë dhe investimeve të dobëta me eurozonën, të cilat lidhen me dobësitë e vazhdueshme në rritjen globale, si dhe me mundësitë për rritjen e tensioneve gjeopolitike, emigrimin, pasigurinë zgjedhore dhe inflacionin e vazhdueshëm.

Shkalla e inflacionit në rajon ra shumë, nga 14.3 për qind në janar 2023 në 5.1 për qind në dhjetor 2023.

Në Kosovë, shkalla e inflacionit sillet në rreth 2 për qind, por çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë mbetur të larta prej se inflacioni ka arritur kulmin më 2022, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Atë vit, Kosova e përfundoi me normë mesatare inflacioni rreth 12 për qind.

Banka Botërore e paralajmëroi rajonin se i duhet patjetër t’i zbarojë një sërë reformash për ta ngushtuar hendekun me zhvillimit me Bashkimin Evropian.

Të gjitha gjashtë vendet e rajonit duan t’i bashkohen BE-së.

“Plani i ri i bllokut për rritje për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi për ta stimuluar zhvillimin e ekonomik përmes reformave dhe investimeve, posaçërisht në ekonominë e gjelbër”, tha Xiaoqing Yu, drejtori i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Xiaoqing po i referohej planit prej 6 miliardë euro të BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Plani u paraqit në nëntor të vitit 2023, dhe parasheh që dy miliardë euro të jenë fonde të pakthyeshme, ndërsa katër miliardët tjerë të jepen në formën e kredive të volitshme.

Nga secili vend është paraparë përgatitja e një agjende reformuese, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së, para vlerësimit dhe miratimit të saj nga Komisioni Evropian.

Reformat në fushën e rendit dhe të sundimit të ligjit janë thelbësore për të përfituar mjete nga ky Plan.

(Radio Evropa e Lirë)