Banka Botërore ul parashikimin për rritjen ekonomike në Shqipëri

Banka Botërore vlerëson se Shqipëria do të rritet me 3.2% këtë vit, 0.3% më pak se sa ishte vlerësimi i mëparshëm. Ngadalësimi lidhet me vështirësitë e përgjithshme botërore të shkaktuara nga lufta e tarifave të ndërmarra nga presidenti amerikan Donald Trump.

 

Banka Botërore parashikoi një ngadalësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike botërore, përfshirë Shqipërinë për vitin 2025 dhe për dy vitet në vijim, bëhet e ditur në raportin e fundit Perspektiva ekonomike botërore që u publikua të martën.

Ekonomia botërore do të rritet me 2.3% këtë vit, sipas parashikimit të ri, “me ngadalësim në shumicën e ekonomive në krahasim me vitin e kaluar,” shënohet në raport.

“Kjo është rritja më e ngadaltë e regjistruar që nga viti 2008, me përjashtim të recesioneve”, shton raporti.

Si rrjedhojë e rritjes së ngadaltë, progresi i vendeve të varfra për të luftuar varfërinë ekstreme do të jetë “i pamjaftueshëm”.

Rreziqet janë për rritje edhe më të dobët se kaq, për shkak se lufta e tarifave ka rrezik të zgjasë e madje të përshkallëzohet, gjë që do të sjellë rritje të rreziqeve dhe pasigurive me të cilat duhet të përballen aktorët ekonomikë.

Ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet në masën 3.2% këtë vit dhe do të ngadalësohet më tej në 3.1% në dy vitet e ardhshme, nëse parashikimi i Bankës Botërore del i saktë. Parashikimi i mëparshëm fliste për rritje ekonomike në masën 3.5% për këtë vit dhe 3.4% në vitet 2025 dhe 2026.

Më ngadalë se sa numri i pensionistëve

Ekonomia e Shqipërisë vlerësohet aktualisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar se ka një potencial rritjeje në masën 3.5%, me opsionin që, nëse integrimi Evropian i vendit do të përparojë dhe fondet e Bashkimit Evropian për “konvergjencë” do të jenë të konsiderueshme, atëherë rritja do të jetë më e lartë se sa kaq. Por për tre vitet e ardhshme, parashikimi është pothuajse gjysmë përqindjeje më i vogël se sa potenciali, gjë që, në terma monetarë, është e barabartë me 125 milionë euro më pak.

Vlerësimi për rritjen potenciale të Shqipërisë ishte 4.5% për periudhën pas krizës së vitit 2008 deri vitin e kaluar, por u reduktua në 3.5% kur Censi i popullsisë dhe banesave ekspozoi një shkallë të lartë emigrimi mes grupmoshave të reja dhe plakje të shpejtë të popullsisë.

Problemi kryesor duket se është që numri i qytetarëve shqiptarë në moshë pensioni ka gjasa do të rritet më shpejt se sa kaq dhe rritja ekonomike do të jetë e pamjaftueshme për të paguar pensione me fuqi blerëse të barabartë me vitet e kaluara, e aq më pak, që të mund të rrisë pensionet nga niveli i  tyre aktual, rreth 600 lekë në ditë.

Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, numri i pensioneve që paguhen në Shqipëri arriti në 705 mijë në vitin 2023, me rritje prej 18 mijë vetësh ose 2.6% më shumë se sa në vitin 2022. Të dhënat për vitin 2024 nuk janë publikuar ende. Ritmi i rritjes së numrit të pensionistëve ka gjasa do të jetë më i lartë, pasi brezi i shqiptarëve të lindur në vitet 70 të shekullit të njëzetë është shumë më i numërt se sa ato të gjeneratës së mëparshme. Në këtë kontekst, rritja e ekonomisë prej 3.2% vështirë se mjafton për të mbuluar nivelin aktual të pensioneve, pa lënë hapësirë për rritje pensionesh.

(Reporter.al)

Comment

*