Banorët e fshatrave të Suçit protestojnë kundër ndërtimit të HEC-it Doma

Banorët e fshatrave të Suçit hynë forcërisht në Bashkinë e Klosit gjatë protestës së tyre kundër ndërtimit të hidrocentralit Doma, ndërkohë që zyrtarët lokalë fajësojnë njëri-tjetrin për përgjegjësitë.

Protesta kundër ndërtimit të HEC-it Doma mbi lumin e Lusës në Mat vijoi këtë të hënë, ku dhjetëra banorë të njësisë administrative Suç u mblodhën para Bashkisë së Klosit, duke kërkuar ndërhyrjen e pushtetit vendor për pezullimin e punimeve.

Protesta u shoqërua me tensione, pasi banorët kërkuan të takonin kryetaren e bashkisë, Valbona Kola, por u përballën me bllokimin e hyrjes nga Policia Bashkiake. Situata u përshkallëzua kur protestuesit hynë forcërisht në godinë, duke sjellë më pas ndërhyrjen e forcave të Policisë së Shtetit për të qetësuar situatën.

Pas insistimit të banorëve, kryetarja Kola u takua me ta në një nga sallat e bashkisë, së bashku me disa nga drejtuesit e institucionit. Në një sallë të mbushur me banorë të ardhur nga disa fshatra të zonës, Kola u shpreh se Bashkia Klos nuk ka mundësi ligjore për ta ndalur investimin, pasi është vënë para një fakti të kryer. Ajo dhe zyrtarët bashkiakë ia pasuan përgjegjësinë ish-administratës së djathtë që ka drejtuar bashkinë deri në vitin 2019.

Administrata aktuale paraqiti një kontratë qiraje të firmosur në shtator të vitit 2018 nga ish-kryetari i bashkisë, Basir Çupa, për dhënien me afat 10-vjeçar të një sipërfaqeje pyjore në përdorim të kompanisë që ndërton hidrocentralin. Sipas dokumenteve të bëra publike, qiraja hyn në fuqi nga momenti i pajisjes së subjektit me leje ndërtimi, ndërsa mendimi pozitiv për heqjen nga fondi pyjor është dhënë në vitin 2019 nga Këshilli Bashkiak.

I pyetur nga BIRN për kontratën e qirasë të firmosur në vitin 2018 me “Global Interprise Group” dhe vendimin e Këshillit Bashkiak të Klosit në vitin 2019, ish-kryebashkiaku i Klosit, Basir Çupa tha se vendimet janë marrë në përputhje me ligjin.

“Në atë periudhë, Këshilli Bashkiak në Klos nuk ka qenë vetëm i djathtë, por i përzierë,” tha Çupa, duke theksuar se në atë periudhë nuk ka pasur asnjë ankesë nga komuniteti.

Sipas tij, vendimi është marrë me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe të firmës ndërtuese, ndërsa ndërtimi është planifikuar poshtë zonës ku banorët marrin ujin për vaditje. Ai shtoi se kundërshtimet nga banorët kanë ardhur më vonë dhe nëse kishte shkelje në kontratën e qirasë, ato mund të ishin korrigjuar nga administratat pasuese, që sipas tij “i kanë në dorë të gjitha pushtetet për vite me radhë”.

Banorët protestues i qëndruan vendimit për të mos lejuar ndërtimin e HEC-it, duke theksuar se projekti kërcënon burimet ujore për vaditje, si dhe do të sjellë dëme të parikuperueshme për ekosistemin dhe natyrën e zonës.

“Kemi kërkuar mbështetje nga IKMT e Dibrës, pasi kemi mungesë të punonjësve në Inspektoriatin Vendor të Mbrojtjes së Territorit. Ata sot janë në terren. Unë e di që Kurdaria është hambari i bujqësisë, ndaj jam në krahun tuaj. Punimet për HEC-in janë aktualisht të pezulluara nga kompania,” premtoi kryebashkiakja e Klosit, Valbona Kola para banorëve.

Ndërtimi i HEC-it Doma në lumin e Lusës në njësinë administrative Suç të Klosit, ka sjellë përplasje të vazhdueshme mes banorëve dhe kompanisë ndërtuese “Global Interprise Group”. Projekti është pjesë e një skeme më të gjerë për ndërtimin e tre hidrocentraleve në këtë lumë. Banorët pretendojnë se nuk janë përfshirë në asnjë proces dëgjese publike. Situata është përshkallëzuar javët e fundit, ku ka pasur përplasjet fizike ndërmjet banorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë. Në qëndrime të mëparshme, kompania ndërtuese deklaron se gjurma e HEC-it ndodhet poshtë zonës së banuar dhe nuk prek drejtpërdrejt interesat e banorëve për vaditje.

(Reporter.al)

Comment

*