Basha mohon se PD është mbështetur financiarisht nga jashtë, Berisha kërkon rihapjen e hetimeve

Tiranë, 14 shtator 2022 – Në Shqipëri, ish kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili udhëhoqi këtë forcë politike nga viti 2005 deri në mars të 2022, kur dha dorëheqjen, mohoi sot informacionet e bazuara në një raport amerikan të zbulimit, të bëra të ditura mbrëmë, nga një burim i qeverisë amerikane, se “në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”.

 “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus”, ka shkruar Basha në Twitter.

Viti 2017 përkon me deklarimet e firmës lobuese amerikane “Muzin Capitol Partners” se atë vit ajo i kishte marrë tri pagesa, me një vlerë totale prej 675 mijë dollarësh, për të punuar në favor të Partisë Demokratike. Kjo e fundit ka pranuar pagesën e vetëm 25 mijë dollarëve, ndërkohë që kompania “Muzin”, ka deklaruar se 150 mijë dollarë janë paguar përmes shoqërisë “Biniatta Trade LP”, e regjistruar në Edinburg të Skocisë, në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale.

Investigime të ndryshme mediatike në atë kohë, ngritën dyshime për fije të shumta lidhjesh të kompanisë Biniatta, të cilat çonin drejt Rusisë.

Akoma më i paqartë mbeti burimi i 500 mijë dollarëve të tjerë që sipas “Muzin Capitol Partners” ishte paguar direkt nga PD. Në dokumentin që firma “Muzin…” e ka paraqitur në Departamentin e Drejtësisë figuron shifra 500 mijë dollarë dhe thuhet se ajo është bërë nga Partia Demokratike. Megjithatë shifra prej 500 mijë dollarësh figuron në kontratën me “Biniatta…” dhe jo me PD-në, sipas Mother Jones.

Për to zoti Basha ka dhënë dy shpjegime të ndryshme. Në nëntor të vitit 2017 ai e kishte shpjeguar pagesën me fonde të mbledhura nga një numër i madh shqiptaro-amerikanësh, pa kaluar përmes PD-së. Ndërsa në mars të vitit 2018 kishte deklaruar se çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai.

“Janë marrëdhënie të firmës ‘Muzin…’ me palë të treta”,kishte deklaruar ai.

Në reagimin e sotëm, zoti Basha vë në dukje se dhe hetimet për këtë çështje në Shqipëri nuk kishin zbuluar asnjë financim rus.

“Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja”, ka shkruar ai në Twitter.

Zoti Basha u mor i pandehur nga Prokuroria e Tiranës në qershor të vitit 2019, dhe Prokuroria, , në një replikë ndaj deklarimeve të tij, në një komunikatë zyrtare shkroi: 

“PD ka deklaruar vetëm 25 mijë dollarë, por nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 mijë dollarësh. Në dokumentat e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia dalin qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, pra PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin”, thuhej në deklaratën e prokurorisë.

Në Janar të vitit 2020, Gjykata e Tiranës e pushoi çështjen, ndërkohë që vetë prokuroria u paraqit me dy qëndrime të ndryshme.

Por sot, Partia Demokratike, e cila drejtohet nga ish kryeministri Sali Berisha, duke komentuar informacionet e fundit nga Shtetet e Bashkuara për këtë çështje, foli për “akte personale të Lulzim Bashës”, të denoncuara dhe më parë.

“Gjithë përgjegjësitë bien mbi Lulzim Bashën, i cili, për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve”, tha zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, në një deklaratë për medie.

Nëdeklaratë thuhet se Partia Demokratike “kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë” dhe njoftoi se forumeve të saj do t’u kërkohet ngritja e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm.

“Raporti i auditimit do t’u prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, dhe do të publikohet”, u shpreh zonja Garo.

(Sipas Zërit të Amerikës)