Prishtinë, 10 shkurt 2026 – Kryetari në largim i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, njoftoi se përfaqësuesit e të gjitha partive politike që përfaqësohen në Kuvend janë pajtuar që votimi për kryetarin dhe për pesë nënkryetarët e Kuvendit të bëhet njëherësh, në pako, për të përshpejtuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe për të proceduar votimin e kabinetit të ri qeverisës.
“Ka pasur konsensus për votimin e kryetares ose kryetarit si edhe për votimin në pako të pesë nënkryetarëve, me qëllim që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt dhe më pas të vazhdohet me qeverinë”, deklaroi Basha pas takimit konsultativ me përfaqësuesit e partive parlamentare.
Basha bëri të ditur se seanca konstituive e Kuvendit do të në orën 17:00 dhe jo në orën 12:00, siç ishte caktuar nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Ai tha se ky vendim është marrë me kërkesë të nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në mënyrë që punimet e seancës të mos zhvillohen njëkohësisht me seancën gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë
“Data e seancës mbetet e njëjtë, por ora ka ndryshuar për shkak të rrethanave të nesërme. Kërkesa erdhi nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, dhe të gjitha partitë janë pajtuar që seanca të nisë në orën 17:00”, tha Basha.
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës konsiderohet çështje urgjente, duke qenë se në fund të muajit skadon afati për miratimin e buxhetit për vitin 2026 dhe se Presidenti apo Presidentja e Kosovës duhet të zgjidhet më së largu deri më 4 mars. Në të kundërtën, Kosova do të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme.
(r.m.)