BDI e propozon Talat Xhaferin për kryeministër të qeverisë 100 ditëshe të Maqedonisë së Veriut

Shkup, 8 dhjetor 2023 – Bashkimi Demokratik për Integrim ka vendosur në një takim të premten që të propozojë Talat Xhaferin për kryeministër të qeverisë kalimtare për 100 ditët e fundit të ekzekutivit, para zgjedhjeve të pritshme në pranverë.

Zoti Xhaferi aktualisht është kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Ai pritet ta marrë detyrën e kryeministrit më 28 janar të vitit 2024. Ky vendim vjen si rezultat i marrëveshjes së njohur si “Marrëveshja e Përzhinës” për vendosjen e një qeverie teknike 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Zoti Xhaferi do ta zërë vendin e kreut të përkohshëm të qeverisë sipas marrëveshjes dypalëshe në vitin 2020 midis Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Lidhjes Social Demokrate (LSDM) që ky post t’i takojë partnerit shqiptar të koalicionit qeverisës.

VMRO-DPMNE-ja e opozitës javët e fundit është shprehur kundër qeverisë teknike, ndërsa BDI-ja dhe një pjesë e analistëve e kanë cilësuar këtë si një qëndrim, jo vetëm kundër BDI-së, por edhe antishqiptare të partisë nacionaliste maqedonase. BDI-ja, ndërkaq, e ka përdorur çështjen e “kryeministrit të parë shqiptar” (në Maqedoninë e Veriut) për nevojat dhe fushatat e tij politike pothuajse që nga fillimi i koalicionit të fundit me LSDM-në.

Sipas pritshmërive, postin e kryetarit të parlamentit në 100 ditët e mbetura të përbërjes së tanishme do ta marrë bashkërenduesi i grupit të deputetëve të LSDM-së, Jovan Mitreski.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 maj së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i presidencialeve mbahet më 24 prill.

Kryeministri dhe drejtues i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski u ka bërë thirrje partive pro-evropiane në vend që të bashkohen në një koalicion parazgjedhor, por pa saktësuar nëse ftesa vlen edhe për BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët, partnerët e koalicionit aktual në qeveri.

Ndërkohë, tri partitë shqiptare të opozitës, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike kanë zyrtarizuar vendimin për koalicion të përbashkët në zgjedhjet e pranverës. Ato kanë paralajmëruar edhe daljen me një kandidat të përbashkët për president të Maqedonisë së Veriut, ndonëse asnjëherë një kandidat shqiptar nuk ka arritur të kalojë në raundin e dytë, që nga pavarësia e këtij vendi para 32 vjetësh.

(Zëri i Amerikës)