BE e kushtëzon me sundimin e ligjit ndihmën financiare për vendet e Ballkanit

Strasburg, 16 shtator 2021 – Deputetët e Parlamentit Evropian, në seancë plenare, kanë dhënë dritën e gjelbër për paketën e re shumëvjeçare financiare prej 14,2 miliardë eurosh (IPA III) për shtatë shtetet e përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së, raporton REL.

Këto mjete do të ndahen për Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë për një periudhë shtatëvjeçare, deri në vitin 2027.

Fjala është për mjetet që do t’u ndahen këtyre shteteve që të kryejnë reformat e kërkuara në procesin e para anëtarësimit.

Por, kësaj radhe, Parlamenti Evropian merr rol në kontrollimin e shfrytëzimit të këtyre mjeteve dhe ka mundësi që fondet të zvogëlohen apo edhe të suspendohen për shtetet që nuk do t’i respektojnë parimet për sundimin e ligjit.

“Qëllimi i përgjithshëm i IPA III është të mbështeten këto vende në miratimin dhe zbatimin e reformave politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike për tu përshtatur me vlerat e BE-së dhe gradualisht të inkuadrohen me ligjet, standardet dhe politikat e BE-së”, thuhet në komunikatën e Parlamentit Evropian.

Parlamenti ka bërë të qartë se nuk do të hezitojë të marrë vendim për suspendimin e ndihmave tëcilat kushtëzohen me sundimin e ligjit nga vendet kandidate dhe vendet kandidate potenciale.

“Ky fond, gjenerata e tretë e IPA, mund të zvogëlojë apo suspendojë asistencën, nëse respektimi i vlerave themelore – demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit – shënon përkeqësim. Si pasojë, shfrytëzimi i fondeve nga IPA-s do të kushtëzohet me respektimin e këtyre vlerave nga ana e shteteve përkatëse”, ka paralajmëruar Parlamenti Evropian.

Parlamenti Evropian ka thënë gjithashtu se do të jetë në kontakt të përhershëm edhe me Komisionin Evropian, për të mbikëqyrur se si shpenzohen këto mjete.

BE-ja kushtëzon mjetet financiare për  vendet anëtare me respektimin e parimeve të sundimit të ligjit, prandaj do ta bëjë këtë edhe për vendet në procesin e zgjerimit.

Propozimi për ndarjen e 14,2 ,miliardë eurove për vendet në procesin e zgjerimit ishte bërë para dy vjetësh, por procedura brenda institucioneve të Bashkimit Evropian ka zgjatur deri më tash.

Me që bëhet fjalë për mjetet e planifikuara për periudhën 2021-2027, ato do të mund të përdoren në mënyrë retroaktive, duke filluar nga 1 janari i këtij viti.

(r.m.)