BE e përgëzon Kuvendin e Kosovës për miratimin e marrëveshjes së Planit të Rritjes

Prishtinë, 13 shkurt 2026 – Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka përgëzuar Kuvendin e Kosovës për miratimin e marrëveshjes lidhur me Planin e Rritjes.

Në një deklaratë për publikun thuhet se ky vendim i hap rrugë Kosovës që të përfitojë 882 milionë euro në formë grantesh dhe kredive me kushte të favorshme, të destinuara për zbatimin e reformave që avancojnë procesin drejt integrimit europian të Kosovës.

“BE-ja në Kosovë e mirëpret ratifikimin e sotëm të marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian nga Kuvendi i Kosovës.

Kjo ia hap rrugën Kosovës për të përfituar 882 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme të orientuara për zbatimit e reformave që e çojnë Kosovën përpara në rrugën e saj të integrimit evropian”, thuhet në deklaratë.

Marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian u miratuan nga Kuvendi i Kosovës të premten, me 104 vota pro, asnjë vote kundër dhe 5 abstenime.

“Në kuadër të këtij plani apo marrëveshje parashihet që Kosova të përfitojë një pako prej 882,6 milionë eurove, e cila mund të them se është alokimi më i madh në raport me bruto produktin vendor. Pra është rreth 7% e bruto produktit vendor që i është alokuar Kosovës”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të marrëveshjeve në Kuvend.

(r.m.)