BE e përshëndet zgjedhjen e Justina Shiroka – Pulës Presidente të Kosovës

Bruksel, 7 tetor 2026 – Bashkimi Evropian (BE) e përshëndeti zgjedhjen e Justina Shiroka – Pulës Presidente të Kosovës.

Zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand tha se BE-ja pret rikthimin e stabilitetit institucional në Kosovë, i cili, siç u shpreh, “do të mundësojë përparimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ofron BE-ja”.

Wiegand tha gjithashtu se Kosovën e pret punë e rëndësishme. Ai i përmendi reformat e lidhura me Planin e Rritjes dhe Reformave, zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe përparimin e Kosovës në bashkëpunimin rajonal dhe në integrimin gradual të saj në Tregun e Vetëm të BE-së.

“Ndonëse BE-ja është e gatshme ta mbështesë Kosovën edhe më tej, partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkët”, tha Wiegand për Radion Evropa e Lirë.

Kuvendi i Kosovës e zgjodhi Justina Shiroka – Pulën Presidente të re të Shtetit në minutat e para të së mërkurës. Zgjedhja e saj u bë pas marrëveshjes politike të minutës së fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në opozitë.

Marrëveshja u arriti pasi LVV-ja siguroi votat e deputetëve të saj për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Dhomës së Prokurorit të Specializuar, të sponsorizuar nga PDK-ja. Ndryshimet në këtë ligj i kufizojnë disa nga kompetencat e Dhomave të Specializuara.

(r.m.)