BE e shqetësuar për gjendjen e sundimit të ligjit në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut

Bruksel, 16 shtator 2025 – Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka thënë të martën se blloku mbetet i shqetësuar për gjendjen e sundimit të ligjit në vendet candidate në Ballkan – Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut – edhe pse ka pasur përparim të dukshëm në këtë fushë.

“Ndërhyrja në procedurat gjyqësore, trysnia mbi zyrtarët që hetojnë korrupsionin dhe politizimi i rregullatorëve të medias po vazhdojnë, gjë që është e papranueshme”, tha Kos në një konferencë për media.

Ajo i bëri këto komente pas një mbledhjeje të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, ku ministrat nga disa shtete anëtare dhe vende kandidate biseduan për sundimin e ligjit në BE.

Danimarka mban tani presidencën e Këshillit dhe ministrja e saj për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, theksoi se sundimi i ligjit në BE është tani vlera e saj më e rëndësishme.

Bjere dhe Kos folën gjithashtu për vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë, dhe arritën në përfundimin se nevojitet një mbështetje më e fortë evropiane për Ukrainën, si dhe një rezistencë më e fortë ndaj Rusisë.

“Rusia është një kërcënim për BE-në. Ne duhet të tregojmë vendosmëri dhe të ushtrojmë presion shtesë mbi të”, tha Bjere.

Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

Zyrtarët e lartë të Serbisë vazhdojnë të mbajnë marrëdhënie të ngushta me Kremlinin, pavarësisht thirrjeve nga Brukseli se Serbia është e detyruar, si vend kandidat për anëtarësim në BE, të përafrojë gradualisht politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të Bashkimit Evropian.

(Radio Evropa e Lirë)