BE-ja bën thirrje për një qeveri “vërtet pro-evropiane” në Mal të Zi

Bruksel, 20 gusht 2022 – Bashkimi Evropian pret që në Mal të Zi të zgjidhet një qeveri që do të çojë përpara procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.  

Kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për bashkëpunim me Malin e Zi, Vladimir Bilçik, tha se Mali i Zi ka nevojë për një qeveri vërtet pro-evropiane që mund t’i japë përparësi reformave strategjike të Bashkimit Evropian, në vend të interesave të ngushta politike.

“Pas votimit të mosbesimit të mbrëmshëm, Mali i Zi ka nevojë për një qeveri vërtet pro-BE, e cila mund t’i japë përparësi reformave strategjike të BE-së mbi interesat e ngushta politike”, ka shkruar Biliçik në Twitter.

Sipas tij, Mali i Zi mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në ditën kur t’i zgjidhë me sukses disa detyra të vështira politike.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë”, ka shtuar ai.

Deklarata e eurodeputetit sllovak erdhi një ditë pasi Kuvendi i Malit të Zi votoi pro mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Dritan Abazoviqit. Shkarkimi i qeverisë u bë me 50 vota “për” dhe një vote “kundër”. Kuvendi i Malit të Zi i ka gjithsej 81 deputetë. Për rrëzimin e qeverisë nevojiten së paku 41 vota.

Iniciativa për mosbesimin ndaj qeverisë së Abazoviqit është paraqitur nga 36 deputetë të Partisë Demokratitë të Socialistëve (DPS), Partisë Socialdemokrate, Partisë Liberale, Socialdemokratëve dhe disa partive të tjera.

Iniciativa u ndërmor pak orë pasi Abazoviqi e nënshkroi Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, gjë që ka hidhëruar partitë independiste në Mal të Zi, ndërsa i ka gëzuar subjektet pro-serbe.

Në arsyetimin e kërkesës për mosbesim thuhej se detyrë prioritare e qeverisë ka qenë procesi i integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evrpian dhe qeveria e Abazoviqit ka dështuar pikërisht në këtë plan.

(r.m.)