BE-ja bën thirrje për përmbajtje: Gjykata duhet ta kryejë punën e saj pa ndërhyrje

Bruksel, 16 shtator 2026 – Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje për përmbajtje të gjitha palëve dhe akterëve, pas shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Një zëdhënësi i BE-së ka thënë se gjykata duhet të mos pengohet të zhvillojë procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) ushtrojnë drejtësi përmes zhvillimit të procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale. Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit në një Kolegj të veçantë Apeli. BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe akterëve, në Kosovë dhe rajon, për përmbajtje”, ka thënë ai në një përgjigje me shkrim.

Ai ka thënë se Gjykata Speciale duhet të lejohet ta kryejë punën e vet pa ndërhyrje, duke theksuar se kjo gjykatë, e cila është themeluar nga Kuvendi I Kosovës, vepron brenda sistemit ligjor të Kosovës.

“Dhoma e Specializuar e Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të jenë në gjendje ta kryejnë mandatin e tyre pa ndërhyrje. Drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrugën e saj, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat. Autoritetet kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe banorëve në Kosovë. BE-ja rikujton mbështetjen e saj të gjatë për DHSK-në si një institucion të themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014-2015, që vepron brenda sistemit ligjor të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.

Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Të gjithë u shpallën fajtorë për katër vepra penale të korpusit të krimeve të luftës: “arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar”, “trajtim mizor“, “torturë” dhe “vrasje të paligjshme”.

(r.m.)