BE-ja fton në takim Kurtin e Vuçiqin

Bruksel, 18 nëntor 2022 – Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një takim në Bruksel në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës që zyrtarët evropianë kanë cilësuar më të rrezikshmen që nga viti 2013.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano nuk tha se kur mund të ndodhë takimi por shfaqi shpresën se ai duhet të ndodhë “shumë, shumë shpejt” dhe se synimi i tij është “gjetja e një zgjidhjeje evropiane”.

Aktualisht zyrtarët evropianë janë duke zhvilluar diskutime të dendura me të dyja palët për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës ku përfaqësuesit e serbëve braktisën institucionet e vendit, pasi autoritetet e Kosovës filluan me një nëntor zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Vendimi i qeverisë së Kosovës u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për një shtyrje dhjetë muajshe.

Sipas vendimit të qeverisë nga 21 nëntori fillon periudha e gjobitjes së atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave, ndërsa përfaqësuesit e serbëve në veri kanë paralajmëruar rezistencë në rast të shqiptimit të gjobave.

Kjo ka ngritur shqetësimin e zyrtarëve perëndimorë të cilët thonë se situata është në prag të një krize tjetër dhe duhet gjetur një rrugëdalje përmes një qasjeje strukturore.

(Zëri i Amerikës)