BE-ja insiston në nënshkrimin e Marrëveshjes dhe planit të zbatimit

Bruksel, 2 mars 2023 – Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin ose planin e zbatimit, ka thënë një zyrtar i Bashkimit Evropian, të enjten në Bruksel gjatë një takimi me gazetarë.

Ky zyrtar ka sqaruar edhe dilemat që kanë lindur rreth nënshkrimit apo jo të Marrëveshjes dhe interpretimeve të palëve.

“Kemi pasur dy pjesë të dokumentit unik. Propozimin dhe aneksin [planin] për implementim. Nuk u diskutua për propozimin, sepse palët u pajtuan se nuk ka më nevojë. Fokusi ishte në implementim. Do të ishte ideale sikur të kishte pajtim për të dyja dokumentet, por kjo nuk ishte reale. Skenari më i keq ishte sikur të mos pajtoheshin për asnjërin”, ka thënë ky zyrtar.

Ai ka thënë se takimi i fundit i Kurtit dhe Vuçiqit “ishte më i miri deri më tash”, por ka shtuar se “nivel i i mosbesimit mes palëve është ende i madh, prandaj të dyja palët, me të drejtë, kërkojnë edhe garanci, prandaj edhe është i domosdoshëm një plan i implementimit, i cili nuk lë vend për ambiguitet dhe do të sqarojë obligimet dhe afatet kohore”.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar që dokumenti të nënshkruhet, por përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka shpjeguar se BE-ja nuk e ka menduar kështu takimin, sepse, sipas tij, marrëveshja duhet të përfshijë edhe aneksin, me afatet kohore për implementimin e saj.

“Ky dokument, pa pjesën e implementimit, do të jetë vetëm një deklaratë politike. Diskutimi për implementim ishte i vështirë dhe nuk kemi shkuar larg. Nuk është sekret kur them se çështja e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe] është më e vështira”, ka thënë ky zyrtar.

Ai ka shtuar se pas nënshkrimit, marrëveshja do të bëhet dhe ligjërisht obliguese për palët.

BE-ja pret që palët të dërgojnë reagimet e tyre lidhur me draftin e planit të implementimit që kanë marrë nga Brukseli.

(Sipas REL)