BE-ja nis negociatat e anëtarësimit me Ukrainën e Moldavinë

Nikozia, 13 qershor 2026 – Qiproja, si kryesuese e Këshillit të BE-së, njoftoi se shtetet anëtare të BE-së janë pajtuar për fazën e parë të negociatave për pranimin e Ukrainës dhe të Moldavisë, raportoi Radio Deutsche Wele.

Negociatat për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë në BE nisën formalisht në qershor 2024, por hapja e kapitullit të parë të negociatave me Ukrainën u bllokua nga vetoja e Hungarisë. Tani procesi filloi të lëvizë sërish, pasi ish-kryeministri hungarez, Viktor Orbán, u largua nga pushteti.

Kryeministri i ri hungarez, Péter Magyar, njoftoi javën e kaluar për arritjen e marrëveshjes me Ukrainën për forcimin e të drejtave të pakicës hungareze në këtë vend. Magyar e kishte kushtëzuar me këtë marrëveshje miratimin për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në BE.

Procesi i negociatave për anëtarësim në BE është i ndarë tematikisht në gjashtë faza me gjithsej 33 kapituj, për të cilët zhvillohen negociata.

Në fazën e parë të negociatave, e cila është quajtur zyrtarisht “grupi i parë”, vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së, ndër të tjera, duhet të dëshmojnë se sistemi i tyre i drejtësisë dhe administrata publike i përmbushin standardet e BE-së.

Negociatat zakonisht zgjasin me vite dhe nuk është e sigurt nëse ato përfundojnë me sukses. Për shembull, negociatat e Turqisë me BE-në kanë nisur qysh në vitin 2005, por janë të ngrira qysh prej atëherë, për shkak të hapave mbrapa që ky vend ka bërë në fushat e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore.

(r.m.)

Comment

*