Bruksel, 13 tetor 2026 – Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për pjesëmarrjen e Milan Radoiçiqit, përgjegjësit kryesor për sulmin terrorist në Banjskë, në fushatën zgjedhore të partisë në pushtet në Serbi. Po ashtu, ka shprehur zhgënjim që Serbia nuk ka bërë hapa që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të nxirren para drejtësisë.
“BE në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje që përgjegjësit për sulmet në Banjskë të japin llogari, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin. Jemi të zhgënjyer se deri më tash Serbia nuk ka ndërmarrë hapa për të arrestuar dhe proceduar ata që janë në territorin e Serbisë me aktakuza përkatëse”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Christian Wigand.
“Ne po ashtu mbetemi të shqetësuar për raportet për pjesëmarrjen e kryesit të dyshuar në një tubim parazgjedhor të partisë në pushtet, SNS. Presim nga Serbia që të bashkëpunojë plotësisht përmes kanaleve të caktuara të asistencës së ndërsjellë. Kjo çështje është tepër gjatë në pritje dhe duhet të ndiqet në mënyrë të duhur nga Serbia”, ka thënë Wigand.
Reagimi vjen pas reportimeve të medies në Serbi se Milan Radojçiq ka marrë pjesë në një tubim zgjedhor të Partisë Progresive Serbe, të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq. Në fotot e publikuara në medie, Radojçiqi shihet bashkë me djalin e Vuçiqit, Danillon.
Bashkimi Evropian dhe NATO-ja kanë bërë thirrje vazhdimisht që Serbia të ndërmarrë masa ndaj përgjegjësve për sulmin në Banjskë. Aleksandar Vuçiq ka dhënë deklarata kontraverse lidhur me sulmin dhe me Radojçiqin. Në disa raste ai e ka mbrojtur Radojçiqin, duke e cilësuar si mbrojtës të serbëve në Kosovë.
Ndërkaq, pas reagimeve për pjesëmarrjen e Radojçiqit në fushatën zgjedhore të partisë së tij, e ka cilësuar çështjen e Radojçiqit si çështje të hetuesisë dhe të prokurorisë. Ai ka thënë se Radojçiq është nën hetime lidhur me sulmin në Banjskë.
Autoritetet e Kosovës kërkojnë me ngulm që Serbia ta dorëzojë Radojçiqin te organet e drejtësisë në Kosovë. Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 pjesëtarëve të grupit të serbëve të armatosur që udhihiqej nga Radojçiqi. Deri më tash, vetëm pesë prej të akuzuarve janë në dispozicion të organeve të drejtësisë së Kosovës.
(r.m.)