Bruksel, 9 gusht 2022 – Bashkimi Evropian u bën thirrje vendeve anëtare të reduktojnë përdorimin e gazit natyror për 15 për qind, sipas planit të ri që hyri në fuqi më 9 gusht, dhe synon të përgatisë bllokun për ndalimin e mundshëm të furnizimeve me gaz natyror rus.
Plani, i miratuar dy javë më parë dhe i publikuar si rregullore e Këshillit Evropian më 8 gusht, do të zbatohet për një vit.
Teksti i rregullores citon urgjencën “marrë parasysh rrezikun e afërt për sigurinë e furnizimit me gaz të shkaktuar nga agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës”.
Sipas planit, vendet e BE-së pritet të bëjnë çmos për të reduktuar vullnetarisht konsumin e tyre të gazit natyror për 15 për qind midis 1 gushtit dhe 31 marsit, krahasuar me konsumin mesatar gjatë së njëjtës periudhë të pesë viteve të fundit.
Sipas Komisionit Evropian, 45 miliardë metra kub gaz duhet të kursehen për të arritur objektivin gjatë shtatë muajve të ardhshëm dhe vetëm Gjermania do të duhet të konsumojë rreth 10 miliardë metra kub më pak.
Gjermania përbën rreth 40 për qind të gazit natyror rus të importuar nga Bashkimi Evropian.
Marrëveshja për zvogëlim vullnetar të përdorimit të gazit mund të bëhet e detyrueshme në rast të ndonjë emergjence.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha më 26 korrik se Bashkimi Evropian nuk do t’i dorëzohet “shantazhimit” të Moskës, pasi Gazpromi njoftoi për një tjetër reduktim të madh të gazit përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1, i cili lidh Rusinë me Gjermaninë.
Evropa ndaloi importet ruse të qymyrit duke filluar nga 1 gushti dhe shumica e importeve të naftës do të përfundojnë deri më 31 dhjetor.
(REL)