BE-ja u bën thirrje të gjitha partive politike ta zbatojnë vendimin e Kushteueses

Bruksel, 8 gusht 2025 – Bashkimi Evropian ka lëshuar një deklaratë pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se ka marrë vendim për procesin e konstituimit të Kuvendit, i cili përfshin afatin kohor dhe mënyrën e votimit të deputetëve të zgjedhur.

Në deklaratën e BE-së thuhet se të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës duhet ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të arrijnë  kompromisin e nevojshëm për të zgjedhur Kryetarin dhe Nënkryetarët e rinj të Kuvendit.

“Gjykata Kushtetuese ka folur dhe ka dhënë sqarime të rëndësishme.

BE-ja u bën thirrje të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që t’i përmbahen këtij vendimi dhe të arrijnë kompromis dhe të krijojnë shumicën e nevojshme për të ecur me shpejtësi në procesin e zgjedhjes së Kryetarit dhe Zëvendëskryetarëve të Kuvendit.

Nuk ka më kohë për t’u humbur në bllokadën politike”, thuhet në reagimin e BE-së.

Gjykata Kushtetuese njoftoi të premten se konstituimi i Kuvendit të Kosovës duhet për përmbyllet brenda 30 ditësh dhe ka urdhëruar që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet përmes votimit të hapur, duke shpjeguar se votimi për të njëjtim kandidat për kryetar nuk mund të përsëritet më shumë se tri herë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi se kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit e ka urdhëruar ta vazhdojë seancën aty ku ka mbetur, me pikën e tretë të rendit të ditës, ndërsa deputetët i ka urdhëruar të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë “për”, “kundër” ose “abstenim”.

(r.m.)