Bruksel, 6 nëntor 2025 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë thirrje për zbatim të plotë të marrëveshjeve të dala nga dialogu.
“Sorensen bëri thirrje për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dialogut dhe përsëriti pritshmërinë e Bashkimit Evropian për angazhim konstruktiv nga të dyja palët – Kosova dhe Serbia – në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre”, ka thënë zyra për informim e BE-së për Kohën.
Sipas kësaj zyrje, Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, planifikon të thërrasë një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut.
“Përfaqësuesja e lartë Kallas do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut sapo të krijohen kushtet e përshtatshme për këtë”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Sorensen dhe Vuçiq u takuan të mërkurën në Bruksel ku diskutuan për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit.
Pas takimit, Vuçiq e ka akuzuar Kosovën për ngecjet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, Serbia është e gatshme t’i zbatojë në mënyrë të plotë dhe konsistent ato marrëveshje.
Vuçiq nuk ka thënë shprehimisht se cilat marrëveshje është e gatshme Serbia t’i zbatojë. Ai ka refuzuar të nënshkruante Marrëveshjen bazë për normalizim të raporteve me Kosovën të arritur në Bruksel, ndonëse ishte deklaruar se pajtohej me të. Por, vetëm pak ditë pas takimit të tij me Kryeministrin e Kosovë, Albin Kurti, në Ohër, ai kishte deklaruar se Serbia do të zbatonte vetëm disa prej pikave të marrëveshjes.
(r.m.)