BE: Kosova dhe Serbia do të kenë pasoja, nëse nuk e zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit

Bruksel, 11 prill 2023 – Bashkimi Evropian insiston që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, bashkë me aneksin e saj. Në të kundërtën, paralajmëron se palët do të përballen me pasoja.

Këtë e ka thënë të martën, në takim me gazetarë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, u pajtuan në Ohër që të nisin menjëherë zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes, përfshirë edhe aneksin. Kjo është ajo për çfarë jemi pajtuar. Ky është obligimi politik që të dyja palët e pranuan dhe ajo që shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së presin nga ato”, ka thënë ai, citon Radio Evropa e Lirë.

Stano ka thënë se BE-ja do të monitorojë nivelin e zbatimit të marrëveshjes dhe se për palët që nuk i zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes do të ketë pasoja poligtike dhe financiare.

“Monitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin dhe për të konsttuar a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare“, ka thënë ai.

Zëdhënësi i BE-së ka thënë gjithashtu se për Serbinë moszbatimi i marrëveshjes do të ketë pasoja edhe në procesin e integrimit të saj në BE.

“Pikat e Marrëveshjes, si dhe aneksi, do të përfshihen në kapitullin 35 të kornizës negociuese në rastin e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia ka obligim kontraktual që të zbatojë pikat e Marrëveshjes, nëse dëshiron të arrijë progres në procesin e anëtarësimit. Pra, kemi një marrëveshje dhe një obligim që ajo të zbatohet, pa zgjedhur pjesë të saj“, ka thënë Stano.

Zëdhënësi i BE-së e ka shprehur këtë qëndrim, duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se do t’i zbatojë disa pjesë të marrëveshjes, por nuk do t’i pranojë disa të tjera.

(r.m.)