BE mbështet Shqipërinë me 80 milionë euro për krizën energjitike

Tiranë, 27 tetor 2022 – Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, premtoi të enjten në Tiranë 80 milionë euro ndihmë për përballimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike si pasojë e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ajo e bëri premtimin në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama.

“Fatmirësisht, Shqipëria nuk ka fare varësi nga gazi rus, kjo për shkak të varësisë suaj nga sistemi hidrik, por ndikimi vjen dhe në Shqipëri,” tha presidentja e KE-së.

“Ne në BE kemi vendosur që e vetmja përgjigje që mund të japim është nëpërmjet unitetit dhe solidaritetit. Do të jenë 80 milionë euro në grante,” shtoi ajo gjatë konferencës për shtyp.

Von der Leyen shtoi gjithashtu se Shqipëria ka një sistem për të ndihmuar familjet dhe bizneset e vogla, ndërsa theksoi se një pjesë e grantit prej 500 milionë eurosh do të jepej për t’u investuar në infrastrukturën energjetike. Ajo theksoi rëndësinë e investimit në energjinë e rinovueshme dhe përmendi si shembull impiantin diellor në Vaun e Dejës.

Kryeministri Rama e vlerësoi ndihmën e Bashkimit Europian, por e konsideroi atë të pamjaftueshme. Sipas Ramës, ajo plotëson vetëm 1/6 e shpenzimit total të vendit për të përmbushur kërkesën për energji elektrike.

(Reporter.al)