BE: Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës

Bruksel, 7 tetor 2026 – Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se është “thellësisht i shqetësuar” që Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Dhomës së Prokurporit të Specializuar.

Zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, ka deklaruar se ndryshimet e këtij ligji bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së. Ai u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që t’u përmbahen detyrimeve ndërkombëtare dhe të garantojnë pavarësinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka thënë Wiegand për Radion Evropa e Lirë.

Ëinegand ka thënë se BE-ja e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion i pavarur gjyqësor dhe kërkon që mandati dhe pavarësia e tyre të respektohen plotësisht.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale”, ka theksuar ai.

Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në bazë të këmbimit të letrave mes presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashme e Siguri, Catherine Ashton, në vitin 2014.

Dhomat e Specializuara të Kosovës e kanë selinë në Hagë, por janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Bashkimi Evropian është mbështetësi kryesor financiar i tyre. Deri tani ka dhë në gati 400 milionë euro.

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Dhomës së Prokurorit të Specializuar, të cilat janë sponsoziruar nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan nga Kuvendi i Kosovës të martën vonë, pak para mesnatës.

(r.m.)