BE për ndalimin e vizitës së Patriarkut Porfirije: Kosova e shkeli marrëveshjen për vizitat zyrtare

Bruksel, 14 maj 2024 – Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos ia lejojë vizitën në Kosovë kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano, në konferencë për media në Bruksel, të martën, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës përbën shkelje të marrëveshjes së vitit 2014 për vizitat zyrtare.

“Duke ia refuzuar hyrjen, Qeveria e Kosovës jo vetëm që e shkeli marrëveshjen e vitit 2014 për vizitat zyrtare, por edhe e injoroi në mënyrë flagrante rëndësinë që Kisha Ortodokse Serbe vazhdon të ketë për një pjesë të qytetarëve të Kosovës. Kjo bie ndesh me parimet bazë të çdo shoqërie demokratike multietnike e tolerante. BE-ja dërsish përsërit thirrjet për zbatimin e plotë dhe të pakusht të të gjitha pikave të marrëveshjeve të dialogut, përfshirë edhe atë të vizitave zyrtare”, ka thënë ai.

Stano ka thënë se çështja e ndalimit të vizitës së Patriarkut Porfirije ka gjasa të shtrohet në takimin e kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë që do të mbahet nesër në Bruksel, ndonëse temë e takimit do të jetë “çështja e dinarit”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka thënë se kërkesa e Patriarkut Porfirije përt vizitë në Kosovë është refuzuar për shkak se Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen për të mos lobuar kundër pranimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si edhe kërcënimet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial.

“Përderisa Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes, të vazhdojë të përdorë gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime kundër Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të saj, nuk do të lejohen vizitat as nga ana jonë.”, thuhet në njoftimin e Ministrrisë.

“Ashtu siç dihet, Serbia ka krijuar grup ministror për ta shkelur marrëveshjen bazike dhe për të penguar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe përderisa vazhdon me këtë qasje dhe luftë me çdo mjet kundër Kosovës nuk do këtë aprovim te vizitave të tilla”, thuhet në njoftim.

 (r.m.)

Comment

*