BE pezullon fondet e IPARD II për bujqësinë në Shqipëri

Tiranë, 19 korrik 2023 – Komisioni Evropian vendosi të pezullojë programin më të rëndësishëm të ndihmës për Shqipërinë, me vlerë dhjetëramilionë euro, për shkak të dyshimeve për korrupsion. Pyetur nga BIRN, zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë konfirmoi zyrtarisht lajmin e publikuar më herët nga Oligarkia.al se fondet janë ndërprerë.

“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II,” bëhet e ditur në përgjigjen e BE-së për BIRN.

“Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II,” thuhet më tej në përgjigjen me shkrim.

Programi IPARD ofron dhjetëramilionë euro në ndihmë të bujqësisë në Shqipëri dhe në vendet e tjera anëtare për kandidim. IPARD II, i cili u zbatua mes viteve 2014 dhe 2020, i dha Shqipërisë mbi 71 milionë euro ndërsa programi IPARD III pritej ta rriste ndihmën në masën 146 milionë euro.

Por korrupsioni duket se pritet të godasë edhe këtë mundësi për Shqipërinë pasi zyra e Bashkimit Evropian Kundër Mashtrimeve të buxhetit të BE-së ka hapur hetime për korrupsion në dhënien e granteve për bujqësinë, gjë që ka sjellë vendimin për pezullimin e fondeve. Hetimi i OLAF, siç njihet kjo zyrë, është ende në zhvillim e sipër dhe përfundimi nuk dihet, por dyshimet për abuzime duket se janë aq serioze sa Komisioni Evropian të ndërmarrë, si masë paraprake, pezullimin e disbursimeve.

“Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri. Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian,” thuhet në përgjigjen e BE-së.

BIRN pyeti Agjencinë për Media dhe Informim të kryeministrit Edi Rama nëse kanë komente mbi këtë vendim. Një zëdhënëse refuzoi të komentojë.

(Reporter.al)