BE: Rezultati i votimit në veri nuk kontribuon në uljen e tensioneve

Bruksel, 22 prill 2024 – Bashkimi Evropian ka thënë të hënën se ndonëse Kosova e ka organizuar procesin e votimit për largimin ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës, rezultati i procesit të 21 prillit nuk kontribuon në uljen e tensioneve dhe në hapjen e rrugës për kthim të serbëve në institucionet e Kosovës, çka është thelbësore për normalizim të marrëdhënieve.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se BE-ja shpreh keqardhje që serbët e Kosovës në veri nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës për t’i zgjedhur kryetarët, që, sipas BE-së, do të ishin me të vërtetë përfaqësuesit e serbëve të asaj pjese.

“Sa u përket masave, në linjë me konkluzat e 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë për masat e BE-së, të bazuara në një raport të Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e kërkesave të bllokut evropian”, ka thënë Stano, pa përmendur afate kohore kur do të zhvillohen këto diskutime.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka thënë se iniciativa për largim ose jo të kryetarëve ka dështuar, pasi në këtë proces kanë votuar 253 prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.

Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50 për qind plus 1 votues.

Kjo nënkupton se kryetarët aktualë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, do t’i vazhdojnë mandatet e tyre.

Pse i janë vendosur Kosovës masa ndëshkuese?

Që pothuajse një vit, Kosova ka qenë nën disa masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. Këto masa ishin vënë pasi BE-ja thoshte se Kosova nuk kishte bërë mjaftueshëm për ta shtensionuar situatën në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në maj të vitit 2023, tensionet në atë pjesë të Kosovës kulmuan pas hyrjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale. Ata dolën nga zgjedhjet që popullsia shumicë serbe në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok i bojkotoi.

Përfaqësues të shteteve perëndimore kanë kërkuar nga Kosova që, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të mundësonte largimin e atyre kryetarëve, për të cilët thoshte se nuk përfaqësonjnë vullnetin e banorëve.

Të dielën, Kosova mbajti procesin e votimit që mund të çonte në shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave, por sërish pati bojkot, pas thirrjes që bëri partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe.

Pasi që nuk u siguruan votat e mjaftueshme, procesi dështoi. Por, pas mbajtjes së procesit, Qeveria e Kosovës dhe liderë si kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani kërkuan që masat ndëshkuese të BE-së të hiqen.

Radio Evropa e Lirë e pyeti edhe Qeverinë e Kosovës lidhur me efektet që kanë pasur masat ndëshkuese, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli. As BE-ja s’deshi t’i komentojë efektet specifike të këtyre masave.

Çka janë masat ndëshkuese?

Bashkimi Evropian thotë se ia kishte komunikuar Qeverisë së Kosovës masat ndëshkuese më 28 qershor të vitit 2023.

Masat përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

Programi IPA, sipas Komisionit Evropian, është paraparë si “mënyrë përmes të cilës BE-ja përkrah reforma në ‘vendet në procesin e zgjerimit’ me ndihmë financiare dhe teknike”.

Kosova ka përfituar gjithsej 1.21 miliard euro nga ky program që nga viti 2007 deri në fund të vitit 2022. Ndërsa, nga programi Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, Kosova ka përfituar rreth 1.8 miliard euro nga viti 2009 deri më 2021.

Por, pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

Çfarë kriteresh kishte për heqjen e tyre?

Më 10 korrik, Kosova dhe BE-ja kishin arritur pajtim për hapat e parë që duhej të bëheshin për ta shtensionuar situatën në veriun e Kosovës.

Ato përfshinin zvogëlimin e pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale, deklarimin publik të Qeverisë së Kosovës për të mbajtur zgjedhje të parakohshme dhe takime në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ndër kriteret që përmendeshin nga BE-ja ishte që përveç shpalljes së zgjedhjeve, të sigurohej edhe pjesëmarrja e serbëve lokalë, që jetojnë në ato komuna, në zgjedhje.

Në votimet në Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok më 21 prill, vetëm 253 persona votuan nga gjithsej 46.556 qytetarë që kishin të drejtë vote.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*