BE: Shkarkimi i Besim Kelmendit e minon progresin e Kosovës në rrugën evropiane

Prishtinë, 20 nëntor 2025 – Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë e ka kritikuar vendimin e  Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi,

Në një deklaratë të lëshuar pas vendimit për shkarkim, Zyra e BE-sw e cilësoi këtë si vendim “të dëmshëm” për sundimin e ligjit dhe proceset reformuese në sistemin prokurorial.

“Sot, shkarkimi i ushtruesit të Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës pengon reformën e nevojshme dhe të vazhdueshme të KPK-së dhe shpërfill parimet e shtetit të së drejtës dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve. Ky veprim gjithashtu minon progresin e Kosovës drejt rrugës së saj evropiane”, thuhet në deklaratë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shkarkuar sot Besim Kelmendin nga detyra e Ushtruesit të Kryeprokurorit të Shtetit, në një mbledhje ku ishin të pranishëm vetëm pesë anëtarë.

Ky vendim u mor pas kërkesës së zëvendëskryesueses së KPK-së, Jehona Gërvalla-Grantolli, e cila propozoi që shkarkimi i Kelmendit të futet në rendin e ditës së mbledhjes së sotme, duke përmendur edhe intervistimin e tij të fundit si dëshmitar për masakrën e Reçakut.

Ky vendim ka hapur debat për legjitimitetin e tij, pasi ai u mor nga vetëm pesë anëtarë të pranishëm, në kohën kur Këshilli Prokurorial i Kosovës pritet të kalojë procesin e reformimit dhe ristrukturimit.

Shkarkimi i Kelmendit pritet të ngre më tej tensionet rreth funksionimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë në vend.

(r.m.)