BE: Shumë zhgënjyese që Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës

Bruksel, 22 prill 2023 – Bashkimi Evropian (BE) bëri thirrje që zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunave veriore të Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën, më 23 prill, të zhvillohen në mënyrë të qetë e paqësore.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, tha se sigurimi i kushteve që zgjedhjet të zhvillohen pa incidente është thelbësor për procesin.

Stano, në një përgjigje për Zërin e Amerikës, ka thënë se është shumë zhgënjyese që Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje.

“Është shumë zhgënjyese që Lista Serbe, e cila i përfaqëson serbët e Kosovës, ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore”, ka thënë ai.

Stano ka thënë se është detyrë e Kosovës dhe Serbisë që të kenë përparësi kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës.  Ai ka thënë se kjo është nja nga obligimet  që i kanë pranuar dy palët me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit.

“Marrëveshja dhe Aneksi hapin rrugën drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Një pjesë themelore e zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë kthimi i qëndrueshëm i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe pushtetin lokal”, ka thënë Stano.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka kritikuar ashpër vendet e QUINT-it (SHBA-të, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë) për mbështetjen e zgjedhjeve që do të mbahen të dielën në katër komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Ai ka thënë se qëllim I këtyre zgjedhjeve është, siç është shprehur, “pamundësimi i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Vuçiq e ka cilësuar ditën e zgjedhjeve si “një ditë të rëndë” për popullin serb. Ai ka thënë se pas këtyre zgjedhjeve do të pasojë “një pushtim i plotë”, por u ka bërë thirrje serbëve që të shmangin incidentet dhe të presin “kohë më të mira”.

“Nesër, populli ynë me qetësi, përgjegjësi dhe përbuzje do t’i shikojnë ata që do të vijnë nga Mitrovica e Jugut për të votuar që të zgjidhet udhëheqje e re në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Çfarë do të ndodhë më pas, do të jetë një pushtim i plotë për të cilin qytetarët tashmë janë gati, janë mësuar. Ata do të jenë të qetë, do të jenë të përgjegjshëm, ne do të paguajmë rrogat si më parë, do të luftojmë edhe më shumë për ta, do të ngremë standardet dhe do të presim për kohë më të mirë në të cilën, Karta e OKB-së do të jetë e vlefshme si dhe e drejta publike ndërkombëtare”, ka thënë Vuçiq të shtunën.

Një ditë më parë ai u kishte bërë thirrje serbëve në katër komunat veriore të Kosovës që t’I bojkotojnë këto zgjedhje. Ai ikishte udhëzuar ata që  “t’i shikojnë me neveri” të gjithë ata që do të marrin pjesë në zgjedhje.

(r.m.)