Bruksel, 17 qershor 2024 – Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë të hënën se heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës është çështje institucionale e vendeve anëtare dhe jo e dikujt nga jashtë që të përpiqet të spekulojë për përmbajtjen dhe afatet kohore.
“Do të bëhet në kohën që është e duhur për Përfaqësuesin e Lartë dhe shtetet anëtare dhe përmbajtjen do ta shohin dhe diskutojnë fillimisht shtetet anëtare dhe më pas të marrin vendimet e nevojshme. Dhe kur kjo të ketë ndodhur ose kur kjo do të ndodhë, do t’i njoftojmë kolegët tanë në Kosovë se cili është rezultati. Pra nuk ka hapësirë dhe nuk shohim arsye për këto spekulime publike dhe njoftime nga aktorë të ndryshëm”, tha gjatë një konference shtypi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Komentet e zotit Stano ishin kundërpërgjigje ndaj deklaratave të javës së kaluar të zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi, i cili gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane tha se ka informacione se është rekomanduar heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Raporti është dashur të dorëzohet pardje por një pjesë e Komisionit (Evropian) apo një pjesë e figurave të këtij Komisioni kanë kërkuar edhe pak shtyrje dhe unë besoj që i njëjti do të dërgohet për aprovim në Këshill gjatë javës së ardhshme. Përmbajtja e raportit mesa e di unë është pozitive dhe aty do të rekomandohet heqja e masave”, tha zoti Bislimi.
Tashmë po bëhen një vit kur qeveria e Kosovës u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, ku dërgimi i kryetarëve shqiptraë të komunave në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar, u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.
Bashkimi Evropian kishte kërkuar shtensionimin e situatës në veri, largimin e njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat komunale dhe organizimin e zgjedhjeve të reja për kryetarë të komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Që nga ajo kohë situata në veri të vendit është përshkuar me tensione dhe veprime të njëanshme sipas Bashkimit Evropian. Zoti Stano tha se të gjitha këto zhvillime do të jenë pjesë e raportit të Shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josef Borrell lidhur me përmbushjen e kushteve për heqjen e masave për Kosovën.
“Ne kemi parë gjatë periudhës së fundit kohore, me muaj kemi parë hapa të njëanshëm, hapa të pabashkërenduara që çuan në tensione të reja. Përshkallëzimi i vazhdueshëm ishte arsyeja pse Bashkimi Evropian vendosi masat. Pra, natyrisht, ne presim nga autoritetet e Kosovës të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të shtensionuar, por të njëjtën gjë e presim edhe nga pala serbe. Pra, të dyja palët kanë detyrime dhe ata kanë për detyrë të bëjnë gjithçka që munden, së bashku me aleatët e tyre, përfaqësuesit e tyre dhe partnerët e tyre për të parandaluar çdo formë të një përshkallëzimi tjetër”, tha zoti Stano.
Autoritetet në Kosovë thonë se vendi i ka përmbushur të gjitha detyrimet për heqjen e masave ndëshkuese, ndërsa kanë kritikuar Bashkimin Evropian për veprime të njëanshme duke shmangur ndërmarrjen e masave ndaj Serbisë për rolin e saj në tensionimin e situatës në veri të Kosovës, posaçërisht pas sulmit të 24 shtatorit në veri nga një grupi serbësh të armatosur.
(Zëri i Amerikës)